Historiani dhe analisti politik serb Dragomir Anđelković mendon se ndryshimet ligjore në Serbi po i shërbejnë Aleksandar Vuçicit si mekanizëm negocimi në raport me Bashkimin Europian, qytetarët dhe opozitën.
Sipas tij, zgjedhjet nuk do të mbahen këtë vit, por vitin e ardhshëm, ndërsa thotë se kreu i shtetit serb ka ndërmend të “propozojë” një qeveri kalimtare. Anđelković është i bindur se Vuçic, në një moment të caktuar, planifikon të largohet nga Serbia dhe se pikërisht për këtë arsye ai i druhet shtypjes masive të popullsisë.
Duke folur në një intervistë për N1, të cituar nga KosovaPress, Anđelković tha se Vuçic është i vetëdijshëm se shumica e njerëzve, përfshirë edhe ata brenda sistemit, nuk kanë më frikë, ndaj dhe ai po përpiqet ta ndryshojë vetë sistemin. Vuçiç, tha eksperti, ka zëvendësuar besnikët e vet me njerëz që janë të vetëdijshëm se rënia e tij do t’i çonte ata drejt burgut. “Prokuroria nis procedura, por përballet me injorim nga policia. Kjo i ngjan një grushti shteti gjysmë-shtetëror”, tha Anđelković.
Ai shton se Vuçiç ka arritur të krijojë mekanizma paralelë të forcës dhe të qeverisë duke injoruar faktin se shumica e qytetarëve janë kundër tij. Aktualisht, pushteti mbështetet mbi frikën se mund të përdoret represioni, por shtypja masive nuk është e lehtë për t’u realizuar. “Nuk është njësoj të goditen një, pesë apo njëzet persona dhe është një gjë krejt tjetër të përballesh me një protestë masive. Nëse 15 marsi do të përsëritej, kësaj here me një lidership të qartë dhe të profilizuar, Vuçiç do të kishte arsye serioze për frikë.
Nëse ai ‘seriozisht derdh gjak’, shumë dyer do t’i mbyllen”, nënvizoi Anđelković, që ka bindjen se presidenti do të propozojë një largim gradual dhe të butë, bashkë me rrethin e tij të interesit, duke kërkuar në këmbim disa garanci.
Top Channel