Elon Musk ka reaguar ashpër ndaj hetimit të autoriteteve franceze në zyrat e platformës X, duke e cilësuar atë si “veprime arbitrare gjyqësore me motive politike”.

Reagimi i miliarderit erdhi përmes një postimi në faqen “Global Government Affairs”, ku ai akuzoi zyrën e prokurorit të Parisit për përpjekje për të arritur “qëllime të paligjshme politike”.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Francës, përmes llogarisë zyrtare “French Response” në platformën X, i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar akuzat e Musk si “teatër politik”. Autoritetet franceze theksuan se hetimi lidhet me çështje serioze, përfshirë përmbajtje pornografike me të mitur, dhe se akuza të tilla mund të kenë bazë diku tjetër, por jo në Francë.

Sipas mediave franceze, zyra e prokurorit të Parisit e ka thirrur Elon Musk për të dëshmuar më 20 prill, në kuadër të një hetimi që nisi pas një ankese nga një deputet francez. Ky i fundit pretendon se algoritmet e njëanshme dhe keqdashëse të platformës X mund të kenë ndikuar në funksionimin e një sistemi të automatizuar të përpunimit të të dhënave.

Hetimet janë zgjeruar më pas për të përfshirë edhe vepra të tjera penale, si bashkëpunimi në posedimin dhe shpërndarjen e materialeve pornografike me të mitur, përfshirë edhe raste të dyshuara të deepfake-ve seksuale, si dhe përhapjen e tyre nga grupe të organizuara.

Zyra e prokurorit të Parisit theksoi se hetimi është pjesë e një qasjeje konstruktive për të garantuar që platforma X të jetë në përputhje me ligjin francez, për aq kohë sa operon në territorin e Francës. Autoritetet sqaruan se kontrolli në zyrat e X u zhvillua në prani të përfaqësuesve të Europolit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB