Një tjetër faqe e errët në historinë e Epstein/ Dosja me skandale dhe Greqia, e shihte këtë shtet si “laborator financiar”
Marius Borg Hoiby, 29 vjeç, djali i princeshës së Norvegjisë, dëshmoi në ditën e dytë të gjyqit në Oslo, ku përballet me akuza për katër përdhunime dhe më shumë se 30 vepra të tjera penale.
Hoiby rrëfeu se ka jetuar një jetë të mbushur me festa, alkool dhe drogë, duke e lidhur këtë me një nevojë ekstreme për vërtetim dhe vlerësim. Ai tha se kishte qenë jashtëzakonisht e vështirë të fliste për këto çështje në publik, duke theksuar se ishte nën vëzhgimin e vazhdueshëm të medias që nga mosha tre vjeç.
I pandehuri mohoi akuzat për përdhunim dhe shumicën e veprave të rënda penale që i atribuohen. Ai kundërshtoi versionin e një prej grave, që pretendoi se i ishte dhënë drogë gjatë një feste në bodrumin e shtëpisë së familjes së tij në dhjetor 2018. Hoiby tha se marrëdhënia ishte konsensuale dhe mohoi se kishte kryer ndonjë marrëdhënie seksuale me gra që nuk ishin zgjuar. Ai pranoi se kishte filmuar një video pesë-minutëshe në bodrum, por deklaroi se nuk e mbante mend pse e kishte xhiruar ate.
Gjatë dëshmisë, ai tha: Më njohin si djali i mamasë. Asgjë tjetër. Pak njerëz mund ta kuptojnë jetën që kam jetuar. Shumë festa, alkool, pak drogë.
Gjykata ka ndaluar publikimin e çdo informacioni që mund të çonte në identifikimin e katër grave të përfshira në rast, si dhe publikimin e fotografive të të pandehurit brenda ose jashtë sallës së gjyqit.
Hoiby gjithashtu sulmoi median norvegjeze, duke i akuzuar për shtrembërim të fakteve, duke mohuar raportime sipas të cilave nëna e tij kishte hequr një kartë SIM nga telefoni i tij para se të dorëzohej policisë gjatë arrestimit.
Top Channel