Fiks Fare/ “Dy muaj në koma”, “Bankers” dhe nënkontraktori po tentojnë të fshehin plagosjen e punëtorit brenda puseve të naftës!

04/02/2026 20:54

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës tentativat që po bën firma koncesionare “Bankers Petrolium” dhe një kompani nënkontraktore për të fshehur plagosjen e një punëtori brenda puseve të naftës.

Ngjarja ndodhi në shtator 2025, teksa punëtori Llazar Kumaraku qëndroi për më shumë se 2 muaj në koma. Ai ende s’është marrë në pyetje, ndërkohë që ata që i shkaktuan aksidentin vijojnë të punojnë, si firma ashtu edhe punonjësi. Megjithëse kanë kaluar disa muaj, prokuroria s’ka arritur që të bëjë ekspertizën e kamerave, pasi s’janë gjendur filmimet, ndërkohë që qytetari ende nuk ka bërë raportin mjeko – ligjor.

Llazar Kumaraku, banor i Marinzës, i është drejtuar Fiks Fare se në datën 24 shtator 2025, është plagosur. “Ngjarja ka ndodhur në zonën Padi D, atje ku riparohen motorët, është edhe qendër pusi. Ka punë mekanike dhe motorësh. Unë kam qenë i punësuar te firma me pronar Viktor Bistika. Ky ka kontratë me ‘Bankers’ si firmë private dhe merret me transport materialesh për puset për shërbimet e puseve, motorëve. Unë kisha 1 vit e gjysmë i siguruar. Ditën e ngjarjes unë isha për të marrë një motor. Nuk më pëlqente ai si shofer. Unë vendosja zinxhirët te pajisjet dhe i lidhja me vinçin. Në momentin që hapi vinçin i them se distanca ishte shumë e madhe. Më thotë atë e di unë” pohon Llazari.

Më tej shton se në momentin që vendos zinxhirët te pajisja, shoferi Andi Grëmi bën një manovrim të gabuar. “Më vjen koka e vinçit dhe më përplas. Ai bërtiti dhe u largua nga vinçi. Kaq mbaj mend, të tjerat s’i mbaj mend. Ai s’duhet të vepronte. Unë kam pasur dëmtime në kokë brinjët, në trup. Shyqyr Zotit jam gjallë. Pasi u godita më marrin dhe më çojnë në Fier. Fieri s’më mbajti dhe shkova në gjendje kome në Tiranë, në Spitalin Ushtarak. Kam qëndruar 2 muaj e 15 ditë” pohon ai.

Llazari shton se kur doli nga Spitali iu drejtua Prokurorisë së Fierit, pasi s’dinte kush e kishte çështjen. “S’jam marrë në pyetje, dhe sot e kësaj dite s’jam marrë. Tani më thonë çështja është nën hetim. Pres që Prokuroria të më thërrasë të gjejë shkaktarin. Kush më vrau mua, ai shoferi ishte i papërgjegjshëm dhe atij shoferit i ka ardhur patenta kur punonte, s’e kishte më para” thotë ai.

Fiks Fare analizoi dosjen hetimore, ku në dosjen e prokurorisë shkruhet se ngjarja ka ndodhur në një pronë që e administron firma koncesionare “Bankers Petrolium”, teksa punonjësi i dëmtuar dhe shoferi punonin në subjektin “Viktor Bistika”. Gjatë procesit të punës, shkruan prokuroria, teleskopi i vinçit ka rënë duke dëmtuar shtetasin Llazar Kumaraku.

Sipas saj, vinçi ishte montuar në një kamion, mes kokës dhe karrocerisë. Ky mjet është sekuestruar. Gjithashtu, prokuroria ka në dorë edhe certifikatën e kontrollit teknik të mjetit, madje edhe rezultatet e testit. Për këtë mjet ka dhe një certifikatë të kryerjes së operacionit teknik nga një subjekt i tretë. Gjithashtu është edhe një formular inspektimi mjeti nga shoqëria “Bankers”. Me këto dokumente, përcaktohet nëse këto certifikata janë formale apo ka qenë një gabim fatal i shoferit. Deri më tani, as njëra dhe as tjetra nuk janë hetuar.

Por, a u procedua pronari dhe shoferi?!

Llazari thotë se pronari dhe shoferi janë proceduar. “U ndaluan dhe më pas janë liruar” shton ai, teksa lirimi ka ardhur në momentin që Llazari ka qenë në koma. Ngjarja ka qenë tepër e rëndë, por puna vijon normalisht në firmën koncesionare apo nga nënkontraktori i saj, sikur mos të kishte ndodhur asnjë rast. Hetimet janë zvarritur dhe vetëm javët e fundit, Prokuroria e Fierit, ka kërkuar “kryerjen e ekspertimit teknik-kompjuterik të kamerave”.

Në dosje detajohet se është sekuestruar një DVR me pamjet filmike pranë firmës “Bankers”. Kjo pajisje ka 128 kanale, në të cilën janë të regjistruara pamjet filmike të zonës ku ka ndodhur ngjarja, në bazën e kompanisë “Bankers Petrolium”. Instituti i Policisë Shkencore i ka dërguar një shkresë prokurorisë ku i thotë se “e ka aktualisht të pamundur të kryejë këtë akt ekspertimi, pasi nuk ka licencë për ekspertim, deri në sigurimin e një licencë të re”.

Prokuroria ka kërkuar që këtë ekspertim ta kryejnë privatët. Sipas saj, nëse nuk evidentohen pamjet filmike të nxjerra, të bëhet rikuperimi i tyre, duke përcaktuar edhe kohën e fshirjes, asgjësimit apo ndërhyrjeve të kryera në këtë DVR.

Pra, ka dyshime se pamjet janë fshirë!

“Kur vinte në spital, Viktor Bistika më thoshte se amerat s’kanë kapur gjë” pohon ai. Në dosje është edhe një akt ku kërkohet rikuperimi i pamjeve. Llazari thotë se s’bën vaki që kamerat të mos kapin, pasi e gjithë zona ka kamera. Më tej shton se ka bërë një kompromis me pronarin, por vetëm për të mos hapur gjyq civil. Pronari e ka “paguar”. “E kam bërë për Viktor Bistikën që s’do kërkoj dëmshpërblim nga ai. Nga ana morale dhe nga ajo që e mban ai në punë, mua më ka vrarë për së dyti” thotë Llazari.

Fiksi shkon te vendi i ngjarjes, në zonën Padi D, pjesë e kompanisë koncesionare Bankers. Punonjësit thonë se shoferi Anxhi Grëmi punon te Viktor Bistika. Më tej pohojnë se është ende në punë. Gazetarët shkojmë te kantieri i firmës me pronar, teksa bisedojnë me të në telefon. Ai fillimisht hap telefonin, ndërkohë që hiqet sikur nuk është ai. E mbyll dhe Fiksi e merr sërish. Përgjigjet dhe thotë se “tani unë jam Viktor Bistika”, megjithëse zëri ishte i njëjtë.

Gazetarët e pyesin për ngjarjen e datën 24 shtator 2025, teksa ai përgjigjet se shoferi Anxhi Grëmi vijon te jetë aktualisht në punë. Ai thotë se nëse do të marrë ndonjë masë, duhet të shprehet gjykata.

Fiksi e pyet se ka dyshime se po tentohet që të mbulohet e gjithë ngjarja, pasi edhe kamerat janë fshirë. Ai përgjigjet se ka pasur një kamer në kokën e ngjarjes dhe këtë kamer e ka marrë prokuroria e Fierit. Ai thotë se kush e ka fajin do të dalë pasi të dalë vendimi i gjyqit. “Unë kërkoj të zbardhet ngjarja. Deri më sot unë vijoj të trajtohem, të bëj fizioterapi. Kam dëmtime të rënda, prerje të muskujve” përfundon punonjësi.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB