Opinion/ Auron Tare: Uniforma e huaj
Nga Aladin Stafa*
Përtej konflikteve globale, problemeve financiare dhe rendit të ri gjeo-politik, një cështje e re është hedhur në treg për opinionin publik mbarëbotëror. Dosja “Epstein“. Por kush është ky personazh misterioz që edhe pas vdekjes ende po përflitet kaq shumë?
Jeffrey Epstein e nisi karrierën e tij si mësues matematike dhe fizike në shkollën private me emrin ‘Dalton School‘. Një shkollë private përgatitore për kolegj me bazë në New York City. E cilësuar si një shkollë elitare për fëmijë nga familje të pasura të Nju Jork-ut.
Dhe këtu nis kontradikta e parë, duke qenë se aludohet që Epstein nuk kishte një diplome universitare dhe se si ishte e mundur që ai u katapoltua herët në këtë pozicion. Pas heqjes nga kjo punë për paaftësi, nëpërmjet rrjetit të tij të miqve ai mundi të hyjë në ambjentet e Wall Street-it, në zemër të sistemit financiar amerikan e global, ku lëvizin miliarda dollare cdo ditë.
Gjatë viteve ‘76- ‘80, ai bëri rolin e menaxherit të shumë llogarive të mëdha tek familjet e pasura, të cilat vetë jetonin me prapaskena ilegale. Rrjeti i lidhjeve arriti deri tek BCCI (Banka Ndërkombëtare e Kreditit dhe e Tregtisë), e përfshirë në pastrime parash, në korrupsion dhe financime të paligjshme. Një skemë offshore e mbyllur në vitin 1991 nga autoritetet britanike dhe amerikane për abuzime masive.
Megjithatë statusi i Epstein sa vinte dhe rritej duke formuar lidhje me politikanët më në zë të kohës, me agjentura sekrete botërore dhe duke shtuar të ardhurat në pasurinë e tij. Në këtë mënyrë ai funksiononte me parimin se forca ekonomike është e vetmja forcë. Edhe pse i shpallur fajtor në vitin 2008 për prostitucion të miturish, është e cuditshme se si në një vend demokratik dhe të fortë ligjor si SHBA-të, ai e shmangu ndjekjen federale penale vetëm me një marrëveshje të bërë për pranimin e pafajësisë, duke e mbrojtur atë nga akuza të mëtejshme.
Një marrëveshje e jashtëzakonshme për një personazh të pazakonshëm.
Së fundmi, emrat e përfolur në dokumentet e dala, nuk përbëjnë akuza ose prova të sjelljes kriminale. Gjithsesi vetë ekzistenca e tyre në këto dosje ngre hije dyshimi, se si udhëheqës shtetesh, persona me funksione të larta politike dhe biznesmenë të suksesshëm të jenë pjesë e një prej skandaleve më në zë të momentit.
Provokimi fillon aty ku mbaron shpjegimi.
Pyetjet që ngrihen jane: Pse Epstein mori një mbrojtje të tille për kaq gjatë? Pse dokumentet u zvarritën për vite me radhë? Pse drejtësia u interesua të gjurmonte vetëm “peshqit e vegjël” ? A është në të vërtetë drejtësia thjesht një vegël e “fuqisë absolute“?
Këto pyetje nuk sjellin domosdoshmërisht konspiracion. Ato përmbajnë terr.
Vetë “vetvrasja e Epstein“ mbeti një ngjarje e tymtë. Ajo ndodhi në rrethana të paqarta dhe me shumë disfunksionime në zinxhirin operativ të sistemit, të cilat ende ngrenë pikpyetje të tilla si; si? pse? kush?
Rasti Epstein kombinoi tre përbërës: asimetri të pushtetit, drejtësi të vonuar dhe padukshmëri të elitës. Avokatë, prokurorë, institucione dhe media- të gjithë mbetën aktorë në një sistem të përbashkët për të ofruar qëndrueshmëri. E ky është pikërisht mësimi i vërtetë politik.
Ajo që nisi si një cështje penale, evoloi në një simbol politik. Ndarja e tablosë është bërë në tri kahe- Epstein si përfaqsues i elitës nga njëra anë, kalbja institucionale nga ana tjetër dhe e treta, një gjysëm e vërtetë mbetet gjithmonë e pazbuluar.
Kjo e fundit, sjell në jetë mendimin konspirativ, se institucionet nuk janë më të afta t‘u përgjigjen pyetjeve të njerzve në mënyrë bindëse; ose thjesht ato nuk duan.
Cështja Epstein mund të mos ketë kurrë një përfundim, jo se e vërteta është relative por sepse vetë sistemi është një Epstein më vete dhe e anasjellta. Ajo që ka ndodhur është literalisht, figura reale se si bota gjithnjë ka funksionuar. Shqetësimi nuk është pse Epstein u hesht nga një komplot i madh, por që nuk u hesht dot. Dhe pyetja që duhet të bëjmë nuk është më “kush tjetër ishte i përfshire?“, por përkundrazi, “sa histori të ngjashme nuk arrijnë të dalin kurrë në sipërfaqe?“
Në Athinën e lashtë, filozofi Sokrat fliste për “diellin që ndriconte gjithcka, por njerëzit zgjedhin gjithsesi të mbajnë sytë mbyllur“. Sikurse në lashtësi Sokrati paralajmëronte qytetarët e Athinës për pak diell diturie më shumë, sot ende dielli që na ndricon nuk ka mundur t’i hapë plotësisht sytë e njerzve duke vazhduar të krijojë dyshime, frikë dhe mosbesim për gjithcka ndodh nën dritën e pushtetit. E nëse këto kohë po përflitet ndjeshëm për vendosjen e një rendi të ri botëror, kjo cështje na jep pasqyrën e vërtetë të këtij rendi; rënien e perdes dhe të moralit, ku i forti bën atë që mundet dhe i dobëti vuan atë që duhet.
Top Channel