Lista Serbe nuk mori dakordësinë e KQZ-së, pas SHBA-së reagon edhe BE-ja
Me hyrjen në fuqi të të ashtuquajturve “Ligjet e Mrdicit”, autoritetet në Serbi po ndërmarrin hapa që, sipas ekspertëve dhe opozitës, paralizojnë praktikisht prokurorinë dhe shënojnë një rrëshqitje të hapur drejt diktaturës.
Pas marrjes nën kontroll të policisë dhe shërbimeve të sigurisë, pushteti ka nisur të nënshtrojë edhe gjyqësorin përmes ndryshimeve ligjore që synojnë kontrollin e plotë partiak mbi prokuroritë. Në qendër të këtyre ndryshimeve është Prokuroria për Krimin e Organizuar-TOK, e cila, sipas vlerësimeve profesionale, do të mbetet pa kapacitet real veprimi.
Kjo parashihet të realizohet përmes kthimit të prokurorëve të deleguar në TOK në institucionet e tyre fillestare, duke e zbrazur kështu këtë prokurori, teksa paralelisht, Prokurorisë së Lartë në Beograd po i zgjerohet juridiksioni dhe struktura, ndërsa ajo drejtohet nga një figurë e afërt me pushtetin.
Ndryshimet ligjore vijnë në një moment kur gjithnjë e më shumë figura të lidhura me regjimin janë përballur me hetime, çka rrit dyshimet për manovra që synojnë bllokimin e drejtësisë. Bashkimi Evropian e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap serioz prapa në procesin e integrimit evropian të Serbisë, ndërsa disa politikanë evropianë kanë kërkuar pezullimin e negociatave.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga deklarata e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladan Petrov, sipas të cilit gjyqtarët kritikë ndaj qeverisë duhet të shkarkohen. Sipas analistit Dragomir Angjelkovic, frika në shoqëri po zbehet dhe pushteti nuk po përpiqet më të ruajë as fasadën e demokracisë.
Përqendrimi ekstrem i pushtetit, kontrolli i institucioneve dhe injorimi i vendimeve gjyqësore e kanë vënë në pikëpyetje vetë kuptimin e zgjedhjeve. Në këto rrethana, mbetet e paqartë se cilat mjete ligjore u mbeten qytetarëve për t’u mbrojtur nga arbitrariteti i pushtetit.
Top Channel