Modi do të ndalojë blerjen e naftës ruse, Trump e ‘shpërblen’, ul tarifat ndaj Indisë

03/02/2026 07:55

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar uljen e ndjeshme të tarifave doganore ndaj produkteve indiane, pasi sipas tij, kryeministri indian Narendra Modi ka rënë dakord të ndalojë blerjen e naftës ruse.

Trump bëri të ditur se tarifat për mallrat indiane do të ulen menjëherë në 18%, nga 50% që ishin më parë, duke hequr edhe një tarifë shtesë prej 25% të vendosur në gusht si presion për të frenuar importet indiane të naftës nga Rusia.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Modin, gjatë së cilës India pranoi të zëvendësojë naftën ruse me importe nga Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela. Kryeministri indian e përshëndeti uljen e tarifave, por nuk përmendi konkretisht ndalimin e blerjes së naftës ruse.

India aktualisht importon rreth 1.5 milion fuçi naftë ruse në ditë, që përbën më shumë se një të tretën e totalit të importeve të saj të naftës. Rusia është një furnizues kyç për ekonominë indiane, veçanërisht për shkak të çmimeve më të ulëta krahasuar me naftën e vendeve të OPEC-ut apo SHBA-së.

Ekspertët theksojnë se zëvendësimi i plotë i naftës ruse do të jetë i vështirë dhe afatgjatë. Infrastrukturat energjetike të Venezuelës janë të amortizuara dhe kërkojnë investime të mëdha për të rikthyer kapacitetet e mëparshme të prodhimit. Për më tepër, India blen më shumë naftë nga Rusia sesa prodhon aktualisht Venezuela.

Megjithatë, rënia e çmimeve globale të naftës ka zvogëluar diferencën mes naftës së sanksionuar dhe asaj jo të sanksionuar, duke e bërë më të lehtë për Indinë të ndryshojë burimet e furnizimit, veçanërisht në kushtet kur eksportuesit indianë janë ndikuar nga tarifat amerikane.

Trump deklaroi gjithashtu se India ka rënë dakord të ulë në zero tarifat për mallrat amerikane dhe të heqë disa barriera jotarifore, si dhe të rrisë ndjeshëm investimet në SHBA, përfshirë një paketë investimesh prej 500 miliardë dollarësh në energji, teknologji, bujqësi dhe qymyr.

Shtetet e Bashkuara importuan rreth 95.5 miliardë dollarë mallra nga India gjatë vitit 2025, ndërsa eksportet amerikane drejt Indisë arritën në rreth 42 miliardë dollarë. Marrëveshja e re pritet të ndikojë veçanërisht në sektorët e elektronikës, farmaceutikës, tekstileve dhe bizhuterive.

Analistët mbeten skeptikë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, duke theksuar se termat janë ende të paqartë dhe se India mund të vazhdojë, të paktën pjesërisht, blerjen e naftës ruse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB