Pas SHBA-së, edhe Bashkimi Europian ka shprehur “shqetësim serioz” lidhur me faktin që Komisioni qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk i aprovoi rezultatet përfundimtare për Listën Serbe nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Duke folur për REL, zëdhënësi i BE-së tha se blloku përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, duke u bërë thirrje të gjitha partive që të bashkëpunojnë në përputhje me Kushtetutën.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë që të gjithë kandidatët e zgjedhur të kenë mundësi të marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës. Më 31 janar, KQZ-ja miratoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, por jo edhe ato për Listën Serbe. Moskonfirmimi i nëntë deputetëve të kësaj partie në Kuvendin e ardhshëm u kritikua ashpër nga vetë Lista Serbe dhe nga autoritetet zyrtare në Beograd.

Në votimin brenda KQZ-së, tre anëtarë votuan pro konfirmimit të rezultateve, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan. Një ditë më parë, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi, paraqiti një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke e cilësuar vendimin e KQZ-së si të paligjshëm dhe diskriminues.

Sipas saj, ky vendim anulon më shumë se 42 mijë vota të fituara në zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje, Lista Serbe siguroi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB