Prej më shumë se një viti, katër plepa të kalbur dhe të vulosur për t’u prerë në zonën e Krastës së Elbasanit qëndronin ende në këmbë, duke përbërë një kërcënim të vazhdueshëm për jetën e banorëve.
Edhe pse specialistët e Pyjores kishin konstatuar rrezikun dhe kishin vendosur vulën e prerjes, vendimi nuk ishte zbatuar nga institucionet përgjegjëse. Banorët e zonës rrëfejnë se ishin përballur për muaj të tërë me frikën e rrëzimit të plepave gjatë erërave apo stuhive. Një prej tyre pohon se kishte dorëzuar kërkesën për ndërhyrje në tetor të vitit 2023, megjithatë situata kishte mbetur e pandryshuar.
Ai tregon se pemët ndodhen pranë banesave dhe një pjesë e tyre në pronë private, ndërsa pronari është në moshë të thyer.
“Kur fryn erë, dalim e shohim lart, duke u lutur që të mos bien mbi shtëpi. Një plep ka rënë më parë mes shtëpisë sime dhe të komshiut, ndërsa një tjetër shkoi për pak centimetra pranë djalit të fqinjit,” shton ai.
I pyetur nga Fiks Fare specialisti i Pyjores sqaroi se për pemët jashtë fondit pyjor procedura i kalon Emergjencave Civile, institucioni që duhet të ndërhyjë pas konstatimit të rrezikut.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Emergjencave Civile të Bashkisë Elbasan thanë se ishin në dijeni të situatës dhe kishin ngritur një grup pune për prerjen e pemëve.
“Shkuam në terren me zjarrfikëset, por për shkak të kushteve atmosferike ndërhyrja u shty. Tashmë po presim personin e licencuar për prerje, dhe brenda dy javësh çështja do të zgjidhet,” u shprehën zyrtarët.
Ekspertët e pyjeve theksojnë se plepat, pavarësisht rritjes së shpejtë, kanë jetëgjatësi të kufizuar. Pas kalimit të moshës biologjike, trungu kalbet nga brenda, rrënjët humbasin forcën, dhe çdo erë e fortë mund t’i rrëzojë. Në zona të banuara, kjo përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për banorët dhe fëmijët.
Menjëherë pas interesimit të emisionit investigativ “Fiks Fare”, institucionet u vunë në lëvizje. Një nga plepat më të rrezikshëm, që ndodhej buzë rrugës, u pre menjëherë, ndërsa prerja e të tjerëve pritet të realizohet pas përmirësimit të motit.
Kështu, pas një viti pritjeje dhe nën rrezikun e përditshëm, zgjidhja erdhi vetëm pas ekspozimit mediatik .Një tjetër rast që dëshmon rëndësinë e transparencës dhe të gazetarisë në shërbim të qytetarëve.
Në fund banorët falenderuan “Fiks Fare” që bëri të mundur zgjidhjen e problemit mbi 1 vjeçar.
Top Channel