Djali i Princeshës Mette-Marit përballet me akuza të rënda, pallati mbretëror norvegjez zgjedh të mbajë distancë
Një vit pas largimit të saj nga Porti i Portlandit, anija e azilit “Bibby Stockholm” vijon të lërë pas një trashëgimi të rëndë, të shënuar nga protesta, përplasje ligjore dhe një vdekje tragjike, që tronditi komunitetin lokal dhe opinionin publik britanik.
Anija mbërriti në Dorset në korrik të vitit 2023, pasi qeveria konservatore e asaj kohe vendosi ta përdorte si masë të përkohshme për strehimin e azilkërkuesve meshkuj, për të ulur presionin mbi sistemin e azilit. Në bord strehoheshin deri në 500 burra të rritur, të moshës 18 deri në 65 vjeç.
Që në fillim, vendosja e anijes u kundërshtua ashpër nga autoritetet vendore dhe banorët shkruan BBC. Kryetari i Këshillit të Dorset-it, Nick Ireland, deklaroi se vendimi ishte imponuar nga qeveria qendrore pa konsultim. Protesta të shumta u zhvilluan gjatë verës së vitit 2023, mes shqetësimeve për shërbimet lokale, sigurinë dhe kushtet e jetesës në bord.

Situata u përkeqësua në gusht 2023, kur në sistemin e ujit të anijes u zbuluan gjurmë të bakterit legionella, duke detyruar autoritetet të evakuonin përkohësisht azilkërkuesit drejt hoteleve në Devon. Dy muaj më vonë, autoritetet shëndetësore e shpallën anijen të sigurt dhe strehimi rifilloi.
Ngjarja më e rëndë ndodhi në dhjetor 2023, kur një azilkërkues shqiptar, 27-vjeçari Leonard Farruku, humbi jetën në bord. Autoritetet dyshuan se ai i kishte dhënë fund jetës së tij. Vdekja e të riut shqiptar shkaktoi reagime të forta dhe u pasua nga një vigjilje përkujtimore e organizuar nga shoqata bamirëse dhe grupe vullnetare lokale.
Paralelisht, ish-kryetarja e bashkisë së Portlandit, Carralyn Parkes, ngriti një padi ligjore kundër Ministrisë së Brendshme, duke argumentuar se vendosja e anijes shkelte rregullat e planifikimit. Megjithëse Gjykata e Lartë vendosi se anija nuk i nënshtrohej ligjit të planifikimit, Parkes e cilësoi betejën si një fitore morale, duke thënë se rezistenca lokale ndihmoi në ndalimin e projekteve të ngjashme në pjesë të tjera të vendit.
Pas ardhjes në pushtet të qeverisë laburiste në korrik 2024, skema e strehimit në anije u anulua. Tetë azilkërkuesit e fundit u larguan nga “Bibby Stockholm” në janar 2025 dhe anija u tërhoq përfundimisht nga Portlandi më 30 janar.
Megjithëse anija nuk ndodhet më aty, debati mbi politikat e azilit, kushtet e strehimit dhe pasojat njerëzore të vendimeve politike vijon të mbetet i hapur, ndërsa vdekja e shqiptarit Leonard Farrukut mbetet një nga kujtimet më të dhimbshme të kësaj historie.
Top Channel