Bisedime për paqe për Ukrainën në Abu Dhabi, ministri gjerman i Mbrojtjes: Rusia nuk po tregon vullnet real

01/02/2026 17:34

Në Abu Dhabi janë planifikuar sërish bisedime për përfundimin e luftës në Ukrainë, por Gjermania shpreh skepticizëm të fortë për qëndrimin e Rusisë.

Pak para takimit të së dielës, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, vuri në dyshim gatishmërinë reale të Moskës për një armëpushim dhe një zgjidhje paqësore.

Në një deklaratë për rrjetin redaksional gjerman Deutschland (RND), Pistorius tha se, pavarësisht përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për të shtyrë përpara procesin diplomatik, deri tani nuk ka asnjë shenjë konkrete që Rusia e dëshiron seriozisht paqen. Sipas tij, gjatë raundit të fundit të bisedimeve fundjavën e kaluar, Rusia intensifikoi sulmet ndaj Ukrainës.

“Bombardimet ishin masive, siç nuk janë parë më parë në këtë luftë”, theksoi ministri gjerman.

Sulmet ruse janë përqendruar veçanërisht te infrastruktura energjetike. Në Kiev dhe në qytete të tjera, miliona qytetarë po kalojnë prej javësh dimrin në errësirë dhe të ftohtë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe ngrohjes. Riparimet po vonohen vazhdimisht si pasojë e sulmeve ajrore të përsëritura.

Një sulm i rëndë me dronë dhe raketa ka shtyrë për disa ditë rikthimin e furnizimit me energji në kryeqytetin ukrainas. Pistorius e cilësoi këtë situatë si diçka që shkon përtej një konflikti ushtarak.

“Kjo është terror i drejtuar drejtpërdrejt kundër popullsisë civile, në një dimër me temperatura deri në minus 20 gradë”, deklaroi ai.

Ministri gjerman kritikoi gjithashtu mungesën e gatishmërisë për kompromis nga ana e Rusisë, duke theksuar se presidenti Vladimir Putin vazhdon të mbajë kërkesa maksimale sa herë që diskutohet për fundin e luftës.

Rusia ka deklaruar se është e gatshme të pranojë kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për ndërprerjen e përkohshme të sulmeve, për shkak të të ftohtit ekstrem dhe dëmeve të mëdha në infrastrukturën energjetike të Kievit. Megjithatë, Pistorius shprehu dyshime serioze për sinqeritetin e kësaj lëvizjeje.

“Nëse Rusia do t’i merrte seriozisht bisedimet, nuk do të ishte e nevojshme t’i kërkohej një armëpushim”, tha ai, duke shtuar se sulmet duhej të ishin ndalur jo vetëm në Kiev, por në të gjithë Ukrainën.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski konfirmoi të premten (30 janar 2026) se, edhe pse sulmet ndaj impianteve energjetike janë reduktuar, Rusia ka zhvendosur goditjet drejt infrastrukturës së transportit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB