Qeveria siriane dhe forcat kurde arrijnë marrëveshje për integrim në shtet
Gjykata e Lartë e Panamasë ka anuluar kontratat që i lejonin një kompanie me bazë në Hong Kong të operonte dy porte kryesore në Kanalin e Panamasë, duke i shpallur ligjet përkatëse antikushtetuese.
Bëhet fjalë për CK Hutchison Holding, e cila përmes filialit Panama Ports Company (PPC) menaxhonte portet Balboa dhe Cristóbal që nga vitet ’90. Vendimi vjen një vit pasi presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se Kina po “operonte Kanalin e Panamasë”.
Kompania reagoi duke thënë se vendimi “nuk ka bazë ligjore” dhe paralajmëroi pasoja për mijëra familje panameze, duke theksuar se ka investuar mbi 1.8 miliardë dollarë në infrastrukturë që nga viti 1997.
Autoritetet panameze kanë mohuar vazhdimisht pretendimet amerikane për kontroll kinez mbi kanalin, duke theksuar se ai është dhe do të mbetet nën sovranitetin e Panamasë. Megjithatë, vendimi shihet gjerësisht si një fitore politike për Uashingtonin, në sfondin e rivalitetit SHBA–Kinë.
Kina dhe qeveria e Hong Kongut reaguan ashpër, duke deklaruar se do të mbrojnë interesat e kompanive kineze. Vendimi rrezikon gjithashtu një marrëveshje shitjeje prej 22.8 miliardë dollarësh të aseteve të CK Hutchison ndaj një konsorciumi të udhëhequr nga kompania amerikane BlackRock.
Pas lajmit, aksionet e CK Hutchison ranë ndjeshëm në bursën e Hong Kongut, ndërsa tregjet reflektuan shqetësimet për rritjen e riskut politik.
Top Channel