Vrasja e Liridonës, Murseli në gjykatë: Nuk kam qenë në makinë në momentin e ngjarjes, betohem për fëmijët
Kanë vazhduar për të tretën ditë rresht protestat e shoferëve të kamionëve në disa vende të Ballkanit Perëndimor, që kanë bllokuar dhjetëra pika kufitare drejt hapësirës Shengen, në shenjë kundërshtimi ndaj pasojave të sistemit të ri digjital të BE-së për hyrje-daljet (EES).
Bllokadat në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, kanë shkaktuar kolona të gjata kamionësh dhe ndërprerje serioze të qarkullimit tregtar. Në pikëkalimin Bajakovo, më i rëndësishmi ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, u krijua një kolonë rreth dy kilometra, sipas policisë kufitare kroate. Shoqatat e spedicionit po protestojnë kundër zbatimit të Entry/Exit System (EES), i cili regjistron në mënyrë digjitale hyrje-daljet e shtetasve nga vendet joanëtare të BE-së dhe përfshin edhe të dhëna biometrike, me synim forcimin e kontrollit të kufijve të jashtëm të BE-së.
Sipas Dhomës Serbe të Tregtisë, protestat u nxitën nga arrestimet e përsëritura të shoferëve, të cilët akuzohen për shkelje të rregullit të qëndrimit 90 ditë brenda 180 ditëve në BE. Edhe pse kjo rregullore nuk është e re, EES ka mundësuar një kontroll shumë më të rrepte, duke sjellë pasoja direkte për sektorin e transportit. Serbia paralajmëron se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor po humbasin rreth 100 milionë euro në ditë nga eksportet për shkak të bllokadave.
Organizatorët e protestës kërkojnë negociata urgjente me BE-në dhe rregulla përjashtuese për shoferët profesionistë, si kusht për heqjen e bllokadave, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në importet dhe eksportet e Kosovës. Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë, përballen me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare.
Ekspertët paralajmërojnë për mundësinë e rritjes së çmimeve, duke nënvizuar nevojën për politika mbrojtëse dhe stimuj për prodhuesit vendorë. Komisioni Evropian ka deklaruar se është i vetëdijshëm për shqetësimet dhe po e monitoron situatën.
BE-ja mbetet partneri kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor, me rreth 60 për qind të volumit total tregtar, ndërsa në vitin 2024 shkëmbimet tregtare mes dy palëve arritën mbi 83 miliardë euro.
Top Channel