Mbledhja e këshillit të mandateve për Ballukun, zbardhen debatet në konferencën e kryetarëve: Shtyrja, njollë turpi. Balla: Duhet pritur Kushtetuesja

29/01/2026 14:13

Çështja Balluku dhe vendimi i Kuvendit për të shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur debate sot në Konferencën e Kryetarëve.

Demokratët në të njëjtën linjë kanë shprehur se mazhoranca po mbron zv.kryeministren Belinda Balluku duke e shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve që do të shqyrtojë imunitetin e saj.

Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi duhet të mblidhet menjëherë këshilli sepse Gjykata Kushtetuese ka pasur kohë më shumë se 2 muaj kohë për t’u shprehur.

Ndërkohë kryeparlamentari, Niko Peleshi shprehu se kërkesa e do të respektohet pasi nuk përbën shkelje në rregullore. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla se nëse opozita ka ankesa në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Mandateve të ankimojë vendim-marrjen dhe të duke theksuar se PD po bën teatër duke mos ushtruar të drejtën e ankimimit.

Pjesë nga debati:

Jorida Tabaku: Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin.

Gazment Bardhi: Zoti Peleshi, jeni në shkelje flagrante të Rregullores. E kemi kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por e keni refuzuar. Vendosët ta mblidhnit më datë 28, por dy orë para mbledhjes, me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen.

Kështu siç e keni shkruar, edhe pse jam i bindur se nuk e dini se çfarë keni shkruar, i bie që Këshilli të mblidhet pas dy muajsh. Mjafton të lexosh ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur.

Kjo është një sjellje arbitrare dhe argumentet kanë zero bazë, qoftë në Kushtetutë apo në Rregullore. Askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne. Ka vetëm një shpjegim: ju keni marrë në mbrojtje korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Ne nuk kemi bojkotuar mbledhje. Në dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e saj, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme. Kjo nuk përbën bojkot, por mungesë fizike për arsye objektive dhe të justifikuara.

Niko Peleshi: Këshilli ka vepruar dhe do të veprojë në çdo rast duke pasur vijë të kuqe Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren.

Në respekt të Kushtetutës, mbledhja e Këshillit është thirrur menjëherë. Në respekt të rregullores, është respektuar qëndrimi i të gjitha palëve/anëtarëve në Këshill. Deputetët e maxhorancës kanë kërkuar që në procesin e shqyrtimit të kërkesës të merret edhe vendimi i GJK-së. Unë, si kryetar i Këshillit, jam i detyruar të mos injoroj asnjë qëndrim dhe kërkesë, për sa kohë që nuk shkel Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren. Ju kujtoj se jemi brenda afatit 3-mujor që përcakton rregullorja për marrjen e vendimit për pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

Taulant Balla: Nëse grupi parlamentar i PD-së ka ankesa ne lidhje me mbledhjen e Këshillit të Mandateve ta ankimojë këtë vendim-marrje sipas Rregullores. Vendimi për të pritur Gjykatën Kushtetuese është vendimi i duhur sepse edhe vetë Kuvendi është palë në këtë ngërç kushtetues. PD bën teatër dhe nuk e ushtron të drejtën e ankimimit sipas rregullores por bën shfaqje të kota qesharake.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB