Masakra me 11 të vdekur në stadiumin e futbollit në Meksikë, tre të arrestuar

29/01/2026 07:54

Autoritetet meksikane njoftuan të mërkurën arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në të shtënat që lanë 11 të vdekur dhe rreth dhjetë të plagosur në një stadium futbolli në pjesën qendrore të vendit.

Të dielën, persona të armatosur sulmuan një stadium lagjeje dhe hapën zjarr ndaj spektatorëve në Salamanca , një qytet me rreth 160,000 banorë në shtetin qendror të Guanajuato, i cili është ndër ato që janë goditur më rëndë nga dhuna në Meksikë.

Autoritetet besojnë se ishte një rast larjeje hesapesh i lidhur me krimin e organizuar.

Sekretariati Shtetëror (Ministria) e Sigurisë raportoi se tre të dyshuar u arrestuan, pas një serie “operacionesh të koordinuara dhe të synuara”. Ai nuk dha detaje mbi identitetin e të dyshuarve, as akuzat me të cilat përballen në hetim, për të mbrojtur konfidencialitetin e tij.

Midis të vdekurve ishin të paktën pesë punonjës të një kompanie private sigurie.

Sipas raporteve fillestare, ata u vunë në shënjestër sepse kompania për të cilën punonin kishte lidhje me Kartelin e fuqishëm të Gjeneratës së Re Jalisco (JNGC). Besohej se autorët e krimit ishin anëtarë të Kartelit Santa Rosa de Lima (SRL), një rival i të parit. Dy bandat po luftojnë për kontrollin e trafikimit të karburantit të vjedhur, trafikimit të drogës dhe zhvatjes.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum shprehu kënaqësi javën e kaluar që shkalla e vrasjeve në vend kishte rënë në nivelin më të ulët në një dekadë, në 17.5 për 100,000 banorë, në vitin 2025.

Por në Guanajuato, i cili mbetet një nga shtetet më të prekura nga dhuna, shkalla ishte 38.8 për 100,000 banorë.

Vala e pafundme e dhunës që i atribuohet karteleve në Meksikë ka marrë jetën e më shumë se 450,000 njerëzve që nga viti 2006, pa llogaritur më shumë se 100,000 që janë zhdukur, sipas të dhënave zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB