“Nuk kam ku të mbytem”, rehabilitimi i kanalit kullues shkakton probleme me strehimin për banorët në Durrës

28/01/2026 13:56

Rehabilitimi i kanalit kullues në zonën e Urës së Dajlanit në hyrje të Durrësit ka krijuar probleme strehimi për banorët në zonë që preken nga kjo ndërhyrje.

Ditën e sotme përfaqësues të familjeve kanë mbërritur pranë bashkisë së Durrësit dhe kanë kërkuar zgjidhje të situatës, ndërsa fadromat e IKMT-së kanë ndërhyrë në prishjen e objekteve.

M’u prish shtëpia sa më erdhi letra, pa na lënë afat për të hequr placckat. Jetoj po aty, jashtë e sëmurë dhe me djalin që ka 4 fëmijë.  Kërkoj ndihmë nga bashkia”, shprehet një nga banorët.

Strehim nuk kam, gjë nuk kam. Asnjë masë nuk kanë marrë. Këta thonë kërkoni nga Qeveria. Nuk kam ku të mbytem. Kam fëmijët rrugëve”, tha një qytetar.

Të parën baraken time kanë shembur. Nuk na lanë afat fare”, shtoi një banor tjetër.

Ndërsa Ismail Jakupi, Shoqata “Ushten” (për mbrojtjen e romëve dhe egjiptianëve) deklaroi “Janë 16 familje që jetojnë në banesa të rregullta dhe 4 në barake. Prishja nisi menjëherë pas njoftimit në datën 21 janar. Protesta e banorëve ndërpreu prishjet e shpejta, po sot sërish kanë ardhur fadromat ndaj erdhëm për të takuar kryetaren për të gjetur një zgjidhje… Na është thënë që do të shihet mundësia për bonus qiraje. Kërkojmë që IKMT të mos prishë banesat deri në gjetjen e një banese”.

Familjet i kishin banesat në proces legalizimi dhe ky fakt e vështirëson procesin e përfitimit të bonusit social, ndaj po vlerësohet situata e çdo familjeje për t’i dhënë një zgjidhje problematikës së krijuar për strehimin pas një tjetër problematike, asaj të bllokimit të kanaleve kulluese që solli si pasojë përmbytjet masive të këtij janari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB