Prokuroria Themelore e Gjakovës po zhvillon një aksion nën dyshimin për falsifikim të rezultatit zgjedhor në Malishevë.

Komisionerët janë duke u intervistuar në Gjakovë nga drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Në komunën e Malishevës sipas të dhënave të KQZ-së në total janë manipuluar 5704 vota.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3,273 vota iu shtuan kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse të njëjtët nuk i kishin marrë nga qytetarët.

Përfituesi më i madh i këtij manipulimi është Gamend Maliqaj, të cilit në numërimin në Qendrën Komunale të Numërimit i ishin shtuar 927 vota më shumë se sa kishte marrë realisht.

Përmes manipulimit, 728 vota i janë shtuar edhe në Malishevë, kandidatit të PDK-së, Fetah Paçarizit dhe 703 i janë shtuar edhe Adnan Thaçit.

Edhe brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pati manipulim të votës së qytetarëve. Kandidatit Gëzim Hazrollit i janë shtuar 340 vota përmes manipulimit.

Pas rinumërimit, vjedhje e votës është evidentuar edhe në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku kandidatit Valon Hoti, gjatë numërimit në QKN i janë shtuar 312 vota më shumë e Gani Krasniqit i janë shtuar 271.

Manipulim u vërejt edhe te NISMA Socialdemokrate ku Vesel Krasniqit, përmes manipulimit iu shtuan 264 vota e Besjanë Mazrekut 145.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB