Ka marrë fund arratia për një 52-vjeçarin Besim Sherifi që kërkohej nga Maqedonia e Veriut për tre vrasje në vitin 2007.

52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova.
Lokalizimi i tij, u bë pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

52-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest në burg”, për vrasje (maksimumi i dënimit për këtë vepër në Kodin Penal të RMV, burgim i përjetshëm).

Shërbimet operacionale e lokalizuan në zonën e Liqenit të Thatë, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 05.10.2007, në fshatin Kopanica, Shkup, Maqedoni e Veriut, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova.

Materialet procedurale, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin, do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB