“Nuk jeni këtu për të na mbyllur gojën”/ Debate të forta në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, përplasje brenda PS për draft-rregulloren e titujve të nderit

27/01/2026 09:57

Tensionet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës mes të majtëve vijojnë.

Edhe në mbledhjen e këtij fundmuaji, anëtarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Uarda Gjeka, debatoi ashpër me kryetarin e Këshillit Bashkiak, Oltion Luli, edhe pse të dy i përkasin të njëjtit grup politik, PS.

Gjeka dhe Luli debatuan lidhur me një diskutim për një draft-rregullore për dhënien e titujve të nderit.
Këshilltarja socialiste pretendon se kjo draft-rregullore nuk ka ardhur në këshill sipas përcaktimeve dhe afateve ligjore, gjë që kreu i Këshillit Bashkiak e kundërshtoi.

Pjesë nga debati:

Gjeka: S’jeni këtu për të vënë veton dhe për të na mbyllur gojën. Ta dëgjojmë njëri-tjetrin me respekt. Ky është mos respekt që bëni ndaj meje.

Luli: Të lutem mos e thuaj atë gjë.

Gjeka: Është shumë e shëmtuar kjo që bëni. Nuk po respektoni rregulloren.

Luli: Mbaj mendimin tënd. Rregulloren unë e njoh shumë mirë.

Debati mes tyre kaloi edhe në etiketime personale lidhur me aftësitë juridike dhe imponimin e mendimit juridik, që bie ndesh me ligjet në fuqi për draft-rregulloret. Përplasja shkoi deri në atë pikë sa Gjeka i kërkoi kryetarit të Këshillit Bashkiak të japë dorëheqjen, meqenëse është i pazot për këtë post.

Kujtojmë se prej dhjetorit, edhe këshilltari tjetër i PS, Mirsad Basha, ka dalë publikisht kundër Bashkisë Shkodër, duke denoncuar punët e pabëra në qytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB