Misri serb na helmon qumështin, blegtorët e dëmtuar: Kush mban përgjegjësi?

27/01/2026 15:40

Aflatoksina si origjinë ka ushqimin blegtoral. Erjon Koçi, nga fshati Kolonjë e Lushnjës, thotë se para dy muajsh në këtë fermë prodhohej qumësht i ngarkuar me mykotoksinë të rrezikshme dhe sapo ndryshoi misrin, duke hequr nga ferma misrin nga Serbia dhe duke e zëvendësuar atë me një misër tjetër të BE-së, tashmë prodhohet qumësht i pastër.

“Aktualisht në stallën time ka 60 krerë lopë. Presioni ishte i vazhdueshëm nga kompanitë, deri sa arritëm në mosgrumbullimin e qumështit. Më mbetën 500–600 litra qumësht, sepse e kisha me aflatoksinë shumë herë më të lartë se norma e lejuar. Vetë më pas kuptova se e kisha nga misri, sapo e ndryshova misrin serb me një tjetër, për dy-tre ditë rashë nën normë”, tha Erjon Koçi.

Të zhdukësh aflatoksinën në fermë është detyrë e Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa zooteknikët duhet t’i këshillojnë blegtorët se si të ushqejnë kafshët e gjalla. Erjoni arriti ta mbajë aflatoksinën në normat e lejuara, por kjo solli pasoja financiare për të, sepse përdori antimykun, ndryshoi ushqimin dhe kjo solli edhe rënien e rendimentit të qumështit në fermë.

“Nga gjithë kjo lëvizje, ato që e ndjenë janë lopët, duke më sjellë 100 litra më pak qumësht në ditë. Plus që këtu fillojnë abuzimet me çmimet, siç ka ndodhur me rritjen e çmimit të antimykut”, u shpreh Erjon Koçi.

Edhe pse në këtë fermë qumështi është brenda standardit që kërkojnë kompanitë, kjo cilësi nuk i solli atij më tepër fitim, por përkundrazi, 1 litër qumësht blegtorët po e shesin 10 lekë më pak se sezoni i kaluar dhe kjo sjell pasoja të rënda financiare për këta blegtorë, të cilët janë më të keqsubvencionuarit në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB