Zyra e Kadastrës së Vlorës do të shpërngulet përfundimisht nga qyteti bregdetar drejt Tiranës.

Vendimi është firmosur më 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ndërsa procesi i transferimit duhet të përfundojë brenda fundit të këtij muaji.

Burime bëjnë me dije se në Vlorë kanë mbetur vetëm një pjesë e strukturave, pasi zhvendosja ka nisur që prej vitit të kaluar.

Mes të transferuarve janë drejtori Albion Koçi dhe 25 punonjës, të cilët prej muajsh punojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës në Tiranë.

Aktualisht, në Vlorë ndodhen rreth 55 punonjës, të cilët do të duhet të lëvizin në kryeqytet ose nuk do te jene me ne pune. Sipas vendimit, selia e re do të jetë pranë rrugës “Jordan Misja”.

Kadastra e Vlorës ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të ndërrimeve të shpeshta të drejtuesve. Drejtuesi i fundit, Genc Deromemaj, dha dorëheqjen në nëntor të vitit 2025, vetëm katër muaj pas emërimit.

Me këtë vendim, aktiviteti i Kadastrës së Vlorës do të përqendrohet tashmë tërësisht në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB