Gjashtë persona u identifikuan nga Prokuroria e Tiranës dhe Zyra e Hetimit Kriminal jashtë SHBA si të implikuar në udhëtimin e paligjshëm nga Shqipëria me destinacion Amerikën.
Hazi Macin dhe bashkëshortja e tij, Cekrez Nikoci, Ardian Pirani, Alfred Maci dhe Endrit Nezaj, akuzohen për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim.
Të gjashtë dyshohen për mundësimin e kalimit të paligjshëm të kufirit të një shtetasi nga Shqipëria drejt Santo Domingos, ku dhe u zbulua teksa priste të udhëtonte drejt SHBA.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, evidentohen rasti i një shqiptari që kishte paguar 35 mijë euro për të shkuar ilegalisht në SHBA, por kishte mbetur një vit në Republikën Dominikane.
Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Zyra për Hetimet Kriminale jashtë SHBA-së informoi autoritetet lidhur me rastin e kontrabandimit.
“Nga inteligjenca e disponuar nga kjo zyrë ka rezultuar se një shtetas shqiptar i quajtur Ajet Hyka, i datëlindjes 15.05.1980, së bashku me disa shtetas të tjerë shqiptarë, që prej disa muajsh janë kontrabanduar në rajonin e Karaibeve, me qëllim më pas për të kaluar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave, personi i dyshuar që ka organizuar këtë aktivitet është shtetasi shqiptar Hazir Maci, alias Aleko Maci.
Të dhënat tregojnë se Hazir Maci i ka kërkuar të paktën tre shqiptarëve, përfshi dhe Ajet Hyka, për t’i dërguar në Amerikë dhe Kanada kundrejt çmimit prej 35.000 dollarë.
Itinerari që ndjek Maci për të kontrabanduar njerëz fillon nga vendi ynë, ku rekrutohen, dhe më pas nga vendet e Europës drejt Republikës Dominikane, e prej andej me dokumenta false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos, duke përdorur dokumenta udhëtimi false për në Florida ose në shtete të tjera të SHBA-së.
Në vijim të informacioneve që disponohen nga kjo zyrë, rezulton se shtetasi shqiptar Ajet Hyka, së bashku me shtetasit e tjerë shqiptarë, janë kontrabanduar dhe janë dërguar sipas planeve dhe organizimeve të shtetasit Hazir Maci në kryeqytetin e Republikës Dominikane, Santo Domingo, ndoshta që nga fillimi i vitit 2024. Në veçanti, shtetasi Ajet Hyka madje është ndaluar nga autoritetet lokale në posedim të dokumentave false në tentativë për të marrë një fluturim ndërkombëtar.
Gjithashtu, nga të dhëna të disponuara nga disa partnerë ligjzbatues në atë rajon, është mësuar se Ajet Hyka ka mbetur për shumë kohë në Santo Domingo, në pritje për t’u kontrabanduar në Amerikë, dhe nuk ka pasur dokument udhëtimi për t’u kthyer në Shqipëri, me pak fjalë ka ngecur aty për më shumë se një vit,” thuhet në dosjen hetimore të siguruar nga TCH.
Top Channel