Greva e kamionistëve, asnjë kamion nuk po kalon në kufi me Maqedoninë e Veriut

26/01/2026 10:47

Pas njoftimit nga Shoqata e Kamionistëve të Maqedonisë së Veriut për zhvillimin e një greve për ndalimin e lëvizjes së mjeteve të transportit të mallrave drejt disa vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, situata në doganën e Qafë Thanës ka qenë relativisht e qetë.

Në pikën kufitare prej mesnatës janë regjistruar vetëm disa hyrje sporadike të kamionëve. Sipas të dhënave mjetet që kanë kaluar kufirin kanë kryer procedurat doganore në të dyja pikat dhe më pas janë kontrolluar përmes skanerit, pa krijuar vonesa apo grumbullime të mëdha.

Shkak për protestën është sistemi i ri i hyrje-daljes në vendet e zonës Shengen, i cili kufizon qëndrimin e shoferëve të kamionëve nga Ballkani Perëndimor.

“Këto protesta po zhvillohen për shkak të Bashkimit Evropian dhe vendosjes së vizës Shengen. Për ne kjo është një goditje e madhe, sepse na kufizuan numrin e ditëve të qëndrimit. Tani mund të qëndrojmë vetëm rreth 90–130 ditë në vit dhe kjo e bën të pamundur punën për shoferët, transportuesit dhe bizneset.

Deri tani udhëtonim dhe punonim pa vizë. Tani Bashkimi Evropian vendosi vizë dhe kjo i ndalon shoferët të vozisin dhe kompanitë të funksionojnë normalisht. Derisa të merret një vendim, askush nuk mund të punojë si më parë. Punëdhënësit, për shembull, mund të bëjnë vetëm një udhëtim në muaj dhe kaq.
Në Bullgari lejohet qëndrimi deri në 90 ditë, dhe pastaj nuk mund të vazhdosh më në Evropë. Tani duan të japin viza vetëm për ata që kanë punuar më parë në Evropë, por ka shumë njerëz që nuk punojnë aktualisht dhe për këtë arsye mbeten të bllokuar.

Edhe në Maqedoni ka transport të zhvilluar. Transport ka kudo, në të gjitha qytetet.
Problemi kryesor është se nëse nuk punon, nuk ke pagë. Shoferët, transportuesit, pronarët dhe familjet e tyre mbeten pa të ardhura. Kjo është arsyeja pse po protestojmë në kufi sepse pa zgjidhje, puna ndalet dhe njerëzit mbeten pa bukë”, u shpreh një kamionist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB