Video/ Agjentët federalë vrasin protestuesin në Minneapolis, dëshmitarët: Ai nuk mbante armë kur iu afrua agjentëve

25/01/2026 11:34

Dy dëshmitarë okularë të të shtënave me armë zjarri të shtunën pasdite ndaj infermierit 37-vjeçar Alex Pretty në Minneapolis kanë dhënë dëshminë e tyre për ngjarjen.

Ata kanë dëshmuar nën betim se ai nuk mbante armë kur iu afrua agjentëve federalë të ICE të shtunën, duke kundërshtuar drejtpërdrejt pretendimet e administratës Trump se të shtënat që e lanë të vdekur ishin në vetëmbrojtje. Deklaratat e dy dëshmitarëve janë paraqitur të shtunën vonë në mbrëmje në gjykatën federale në Minesota, vetëm disa orë pas vdekjes së Alex Pretty. Deklaratat me betim janë pjesë e një padie të ngritur nga organizata jofitimprurëse Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) në emër të protestuesve në Minneapolis kundër Sekretares së Sigurisë Kombëtare Christy Noem dhe zyrtarëve të tjerë që koordinojnë goditjen e qytetit ndaj emigrantëve.

Dëshmitarja e parë është një grua që regjistroi videon më të qartë të momentit fatal, ndërsa e dyta është një mjeke 29-vjeçare që jeton pranë vendit të ngjarjes dhe tha se fillimisht u pengua nga agjentët federalë që t’i ofronte ndihmë mjekësore burrit të plagosur. Emrat e të dy dëshmitarëve janë fshirë nga të dhënat publike.

Në deklaratën e saj, gruaja – e cila mbante veshur një pallto rozë dhe ishte menjëherë pas Pretty-t në kohën e të shtënave – u prezantua para autoriteteve si një “argëtuese fëmijësh e specializuar në pikturimin e fytyrës”. Ajo tha se ishte në vendngjarje duke shkuar në punë, duke theksuar se “Unë ndjek atë që po ndodh në komunitetin tim sepse është shumë e rëndësishme të dokumentoj atë që ICE po u bën fqinjëve të mi”.

Dëshmitarja përshkroi skena tensioni, duke thënë se Alex Pretty nxitoi të ndihmonte një grua tjetër që ishte në vendngjarje dhe e cila ishte shtyrë përtokë nga agjentët. Sipas deklaratës së saj, një agjent federal spërkati me sprej kimik si Pretty-n ashtu edhe gruan që po përpiqej të ndihmonte.

Ajo dëshmoi se nuk e pa Pretty-n të mbante armë në asnjë moment. “Agjentët e tërhoqën burrin përtokë. Nuk e pashë t’i prekte – as nuk po i shikonte përballë. Nuk dukej sikur po rezistonte, thjesht po përpiqej ta ndihmonte gruan të ngrihej. Nuk e pashë me armë. E hodhën përtokë. Katër ose pesë agjentë e mbanin përtokë dhe filluan ta qëllonin. E qëlluan kaq shumë herë… Nuk e di pse e qëlluan. Ai thjesht po ndihmonte. Isha rreth pesë metra larg dhe e qëlluan”, tha ai.

Më pas ajo shtoi se deklaratat zyrtare nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk pasqyrojnë realitetin. “Burri nuk iu afrua agjentëve me armë. Ai iu afrua atyre me një kamerë. Ai thjesht po përpiqej të ndihmonte një grua të ngrihej dhe ata e hodhën përtokë”, vuri në dukje ajo, duke shprehur frikën e saj se autoritetet po e kërkonin.

“Agjentët nuk e kontrolluan pulsin dhe nuk kryen reanimacion kardiopulmonar pas të shtënave.”

Dëshmitari i dytë, një mjek 29-vjeçar, dëshmoi se e pa incidentin nga dritarja e apartamentit të tij. Siç tha ai, para të shtënave, e pa Pretty-n duke u bërtitur agjentëve, por “nuk e pashë të sulmonte ose të mbante ndonjë lloj arme”.

Pas të shtënave, mjeku u përpoq të ofronte ndihmë mjekësore, por fillimisht iu mohua qasja. “Në fillim, agjentët e ICE-së nuk më lanë të afrohesha. Asnjëri prej tyre nuk po kryente CPR dhe mund të kuptoja që viktima ishte në gjendje kritike”, dëshmoi ai.

Kur më në fund iu lejua të afrohej, ai tha se në vend që të kontrollonin pulsin ose të kryenin CPR, agjentët “dukej sikur po numëronin plagët nga armët e zjarrit”. Sipas vlerësimit të tij mjekësor, Pretty kishte të paktën tre plagë nga armët e zjarrit në shpinë, një në pjesën e sipërme të majtë të gjoksit dhe një tjetër plagë të mundshme në qafë. “Kontrollova pulsin, por nuk munda të ndieja asnjë”, dëshmoi ai.

Dëshmia, së bashku me pamjet video të shqyrtuara nga Guardian, bien ndesh me deklaratat e zyrtarëve të lartë të administratës Trump, përfshirë presidentin, Sekretarin e Sigurisë Kombëtare dhe Komisionerin e Patrullës Kufitare Greg Bovino, të cilët e kanë përshkruar Pretty-n si një “sulmues të armatosur” që iu afrua agjentëve “duke i kërcënuar se do t’i masakronte”.

Vrasja e Alex Pretty ka shkaktuar protesta të gjera kundër ICE-së në të gjithë vendin. Përveç Minesotës, mijëra protestues dolën në rrugët e San Franciskos dhe Oaklandit në Kaliforninë veriore për të shprehur solidaritet.

Në Los Angeles, ku u zhvilluan gjithashtu protesta masive kundër imigracionit qershorin e kaluar, kryetarja e bashkisë Karen Bass dënoi publikisht vdekjen e Pretty gjatë një proteste në qendër të qytetit.

Protesta u zhvilluan gjithashtu jashtë selisë së ICE në Uashington, ndërsa në Çikago, njerëzit u mblodhën në kushte të ftohta për atë që ata e quajtën “veprim urgjent”. Në Nju Jork, më shumë se një mijë protestues u mblodhën në Union Square të shtunën pasdite, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Drejtësi për Alex”.

Protesta u regjistruan gjithashtu në Austin të Teksasit, Seattle dhe Portland, ku qindra qytetarë u mblodhën jashtë ndërtesave të ICE, duke dënuar operacionin e ri vdekjeprurës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB