“SPAK të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim”, Rama për 21 Janarin: Plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri

25/01/2026 10:13

Në podcastin “Flasim” Edi Rama është ndalur te 21 Janari, duke e cilësuar si një “krim shtetëror” që mbetet ende një plagë e hapur për familjarët e viktimave dhe për moralin e drejtësisë në Shqipëri

Kryeministri u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut, që të veprojnë dhe të zbardhin plotësisht ngjarjen, duke nënvizuar se krimet shtetërore mund të vonojnë në ndëshkim, por nuk harrohen kurrë.

“SPAK të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim”, tha ai.

“Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë.

Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar.

Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi.

Dhe 21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë.

Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, – të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB