Reshje të dendura shiu në Indonezi, të paktën 10 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur pas rrëshqitjes së dheut

25/01/2026 10:48

Ekipet e shpëtimit po garojnë me kohën për të gjetur rreth 80 persona të zhdukur në provincën Java Perëndimore, pasi një rrëshqitje dheu vrau të paktën 10 persona, thanë sot autoritetet indoneziane.

Rrëshqitja e dheut ndodhi të shtunën për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që filluan një ditë më parë dhe pritet të vazhdojnë për 24 orët e ardhshme, sipas agjencisë meteorologjike të vendit.

Dedi Kurniawan, 36 vjeç, tha se ishte rrëshqitja e parë e dheut që kishte parë në fshatin malor Pasir Langu, rreth 100 kilometra në juglindje të kryeqytetit Xhakarta. “Ndonjëherë kishim vetëm përmbytje të vogla nga një lumë aty pranë, por këtë herë (katastrofa) erdhi nga pylli”, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters.

Puna e ekipeve të shpëtimit po vështirësohet nga paqëndrueshmëria e tokës, pasi përdorimi i makinerive të rënda nuk është i këshillueshëm, siç raportoi rrjeti televiziv Kompas, duke cituar autoritetet.

Dy muaj më parë, rreth 1,200 njerëz vdiqën për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në ishullin e Sumatrës, ku më shumë se një milion banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB