Protesta masive në SHBA pas vrasjes së Alex Pretti-it, përplasje të forta me Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave
Autoritetet siriane shpallën një armëpushim të ri me Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, pas marrjes së kontrollit mbi territore të gjera në lindje të vendit.
Edhe pse zbatimi i marrëveshjes mbetet i paqartë, zhvillimi shihet si kolaps de facto i SDF-së dhe fundi i gati 14 viteve autonomi kurde në Siri. Që prej krijimit të saj në vitin 2015 me ndihmën e SHBA-së, SDF ishte partneri kryesor i Uashingtonit në luftën kundër ISIS-it dhe e shihte Amerikën si garant të mbijetesës së saj. Megjithatë, pas takimit të Sharaa-s me presidentin Trump, Siria iu bashkua koalicionit të udhëhequr nga SHBA kundër ISIS-it, duke e bërë të panevojshme aleancën me SDF-në. Komandanti i SDF-së, akuzoi Uashingtonin për shkelje të premtimeve dhe braktisje politike. Ky ndryshim qëndrimi nuk është i ri. Gjatë mandatit të parë, Trump tentoi disa herë të tërhiqte trupat amerikane nga Siria, duke lënë SDF-në të pambrojtur përballë ofensivave turke.
Sot, me rënien e regjimit të Assadit dhe ndikimin e zvogëluar rus, Uashingtoni duket më pak i shqetësuar për pasojat e braktisjes së kurdëve. Në reagim ndaj këtyre zhvillimeve, protesta masive kurde janë zhvilluar në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Zvicrën, Belgjikën dhe Suedinë. Mijëra protestues kanë marshuar në qytete si Parisi, Berlini, Hamburgu dhe Zyrihu, duke kërkuar mbrojtje ndërkombëtare për kurdët në Siri dhe duke akuzuar SHBA-në dhe Perëndimin për tradhti. Protesta janë shënuar edhe në Turqi, veçanërisht në qytete me popullsi të madhe kurde, ku autoritetet kanë ndërhyrë në disa raste për shpërndarjen e tubimeve. Në disa demonstrata janë regjistruar tensione dhe arrestime, ndërsa aktivistët paralajmërojnë për përshkallëzim të reagimit. Analistët e shohin situatën aktuale si pjesë të një modeli të përsëritur historik: nga braktisja e kurdëve irakianë në vitin 1975, te mosmbështetja e kryengritjes së vitit 1991 dhe humbja e Kirkukut në vitin 2017. Për shumë kurdë, zhvillimet në Siri janë vetëm kapitulli i radhës i një historie zhgënjimi. Ndërsa autonomia kurde në Siri duket se po mbyllet, mbetet e paqartë se çfarë roli do të kenë kurdët në arkitekturën e re politike të rajonit. Frika e madhe është se cikli i vjetër – mbështetje, përdorim dhe më pas braktisje – mund të përsëritet edhe një herë tjetër.
Top Channel