Protesta masive në SHBA pas vrasjes së Alex Pretti-it, përplasje të forta me Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave
Një përplasje e ashpër ka shpërthyer brenda Partisë Laburiste britanike, pasi Komiteti Ekzekutiv Kombëtar (NEC) i ka ndaluar Andy Burnham-it të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në zonën Gorton dhe Denton.
Në votimin e zhvilluar nga një grup prej 10 anëtarësh të NEC, vetëm Lucy Powell, nënkryetare e partisë dhe aleate e Burnham-it, votoi pro lejimit të kandidimit. Tetë anëtarë votuan kundër, ndërsa kryetarja e NEC dhe sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, abstenoi.
Vendimi praktikisht i mbyll rrugën Burnham-it për një rikthim të shpejtë në parlament. Ai shihej si një rival i mundshëm për të sfiduar Keir Starmerin për drejtimin e partisë, në një kohë kur vlerësimet e kryeministrit në sondazhe janë në rënie.
Në një deklaratë zyrtare, Partia Laburiste tha se sipas rregullave të saj, kryetarët e bashkive duhet të marrin leje për të kandiduar në parlament. NEC argumentoi se dorëheqja e Burnham-it nga posti i kryetarit të bashkisë së Mançesterit do të sillte zgjedhje të panevojshme lokale, duke rënduar financat dhe burimet e partisë përpara zgjedhjeve të majit.
“Andy Burnham po bën një punë të shkëlqyer si kryetar bashkie. Është në interesin e partisë dhe të taksapaguesve që të shmangen zgjedhjet e panevojshme dhe shpenzimet shtesë”, thuhet në deklaratë.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta brenda partisë. Kritikët thonë se drejtuesit në Downing Street kanë zgjedhur “fraksionizmin” dhe jo interesin e përgjithshëm të Laburistëve. Një burim nga krahu i majtë i partisë paralajmëroi se pa Burnham-in, Laburistët rrezikojnë të humbasin zgjedhjet e pjesshme.
Edhe figura të njohura si Angela Rayner, Ed Miliband dhe Sadiq Khan kanë shprehur shqetësim dhe kanë kërkuar që Burnham-it t’i lejohet të kandidojë. Rayner deklaroi se anëtarët lokalë duhet të kenë të drejtën të zgjedhin vetë kandidatin e tyre, pa ndërhyrje nga qendra.
Nga ana tjetër, mbështetësit e Starmer-it e mbrojtën vendimin, duke thënë se kandidimi i Burnham-it do të destabilizonte qeverinë në një moment të ndjeshëm politik dhe ekonomik, si dhe do të hapte një garë të kushtueshme dhe përçarëse.
Deri tani, Andy Burnham nuk ka reaguar publikisht, por përplasja ka thelluar ndarjet brenda Partisë Laburiste dhe ka rihapur debatin për ambiciet e tij politike dhe drejtimin e ardhshëm të partisë.
Top Channel