Presion nga shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar, Venezuela liron të paktën 80 të burgosur politikë
Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh direkte për paqe, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, pas një takimi dyditor të mbajtur në Abu Dhabi.
Bisedimet trilaterale pritet të rifillojnë më 1 shkurt, konfirmoi një zyrtar amerikan.
Zyrtari amerikan e cilësoi takimin si “një hap të madh përpara”, duke theksuar se “është bërë shumë progres në përcaktimin e detajeve kyçe për arritjen e një përfundimi të konfliktit”. Këto janë kontaktet e para të drejtpërdrejta të njohura publikisht mes zyrtarëve ukrainas dhe rusë, në kuadër të një plani paqeje të shtyrë nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës që po hyn në vitin e katërt.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se “u diskutua shumë dhe është e rëndësishme që bisedimet ishin konstruktive”.
Sulme ruse gjatë bisedimeve për paqe
Pavarësisht zhvillimit të negociatave, Rusia u kritikua ashpër për sulme të reja me dronë dhe raketa ndaj Kievit dhe Kharkivit, dy qytetet më të mëdha të Ukrainës. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha se “për ukrainasit, kjo ishte një tjetër natë terrori rus”, duke theksuar se sulmet goditën infrastrukturën kritike.
Autoritetet në Kiev raportuan se një person u vra dhe të paktën 15 të tjerë u plagosën, ndërsa ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes u shënuan në disa zona të vendit.
Takime intensive SHBA–Rusi
Përpara bisedimeve trilaterale, të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff zhvilluan një takim rreth katër orësh me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Sipas një zyrtari amerikan, diskutimet ishin “shumë produktive” dhe u fokusuan në çështjet e fundit të hapura për një marrëveshje.
Përplasje edhe në terren
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina raportuan sulme reciproke. Guvernatori i rajonit rus Belgorod tha se forcat ukrainase kryen një sulm “masiv” ndaj qytetit, duke dëmtuar infrastrukturën energjetike, por pa viktima. Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se trupat ruse kanë marrë kontrollin e fshatit Starytsya në rajonin e Kharkivit, një pretendim që Ukraina nuk e ka konfirmuar zyrtarisht.
Tanker i dyshuar rus ndalohet në Mesdhe
Në një zhvillim tjetër, autoritetet franceze njoftuan se një cisternë nafte e dyshuar si pjesë e “flotës në hije” të Rusisë u ndalua dhe po dërgohet drejt një porti në jug të Francës për inspektim. Anija, e quajtur Grinch, dyshohet se përdorej për të anashkaluar sanksionet perëndimore ndaj Moskës.
Ndërsa bisedimet për paqe vazhdojnë, situata në terren mbetet e tensionuar, me luftime dhe sulme që po zhvillohen paralelisht me përpjekjet diplomatike.
Top Channel