Lufta në Ukrainë/ Kievi dhe Moska drejt raundit të dytë të bisedimeve ballë për ballë, SHBA flet për hap të madh përpara
Gjenerali më i lartë i ushtrisë kineze, Zhang Youxia, është vënë nën hetim për rrjedhje të informacioneve shumë sekrete mbi programin bërthamor të Kinës drejt Shteteve të Bashkuara, si dhe për korrupsion masiv, abuzim me pushtetin dhe krijim klanesh politike brenda ushtrisë, sipas burimeve të njohura me një informim të mbyllur të zhvilluar të shtunën me drejtuesit më të lartë ushtarakë.
Hetimi u bë publik pasi Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi zyrtarisht nisjen e një procedure ndaj Zhang për “shkelje të rënda të disiplinës partiake dhe ligjeve të shtetit”, pa dhënë detaje të tjera. Megjithatë, burime të pranishme në informimin e brendshëm thanë se akuza më e rëndë lidhet me dorëzimin e të dhënave teknike kyçe mbi armët bërthamore kineze tek SHBA-të.
Sipas këtyre burimeve, Zhang akuzohet se:
-ka abuzuar me autoritetin e tij në Komisionin Qendror Ushtarak, organi më i lartë vendimmarrës i ushtrisë
-ka marrë shuma të mëdha parash në këmbim të promovimeve ushtarake
-ka ndërtuar rrjete ndikimi dhe klane politike, duke cenuar unitetin e Partisë Komuniste
-ka pasur rol kyç në korrupsionin e sistemit të prokurimit ushtarak, një nga sektorët me buxhetin më të madh në Kinë
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe lidhjen e Zhang me Gu Jun, ish-drejtorin e Korporatës Kombëtare Bërthamore të Kinës, i cili u vu nën hetim javën e kaluar për shkelje të rënda ligjore. Sipas autoriteteve, hetimi ndaj Gu ka zbuluar një rrjedhje sigurie në sektorin bërthamor, ku dyshohet se është përfshirë edhe Zhang.
Një tjetër element kyç i hetimit është promovimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, Li Shangfu, i cili u shkarkua në vitin 2023 dhe më pas u përjashtua nga Partia për korrupsion. Burimet thonë se Zhang ka ndihmuar në ngritjen e Li-t në këmbim të ryshfeteve të mëdha.
Zhang Youxia, 75 vjeç, konsiderohej prej vitesh një nga aleatët më të besuar të presidentit Xi Jinping. Të dy i përkasin brezit të ashtuquajtur të “princërve”, fëmijë të figurave të larta të revolucionit komunist kinez. Rënia e tij shihet nga analistët si një goditje e paprecedentë në historinë e ushtrisë kineze moderne.
Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, kjo është pjesë e spastrimit më të madh të udhëheqjes ushtarake kineze që nga epoka e Mao Ce Dunit, duke treguar se Xi Jinping po konsolidon kontrollin absolut mbi ushtrinë dhe nuk po kursen as figurat më të afërta.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kineze kanë sekuestruar pajisje elektronike të dhjetëra oficerëve të lidhur me Zhang dhe kanë nisur rishqyrtimin e mandateve të tij të mëparshme, përfshirë periudhën kur drejtonte Rajonin Ushtarak të Shenyangut.
Vetëm në dy vitet e fundit, më shumë se 50 oficerë të lartë dhe drejtues të industrisë së mbrojtjes janë hetuar ose larguar nga detyra. Analistët paralajmërojnë se spastrimi i thellë i majës së komandës mund të ndikojë përkohësisht në gatishmërinë ushtarake të Kinës, përfshirë aftësinë për operacione të mëdha ushtarake.
Megjithatë, mesazhi politik është i qartë: korrupsioni, patronazhi dhe rrjedhja e sekreteve shtetërore konsiderohen kërcënim ekzistencial për sigurinë kombëtare të Kinës, veçanërisht në një moment kritik për ambiciet e Pekinit ndaj Tajvanit.
Top Channel