Vrasja e një personi nga agjentët federalë në Minneapolis, reagon Trump: Lërini ata të bëjnë punën e tyre

24/01/2026 21:22

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump reagoi ndaj incidentit të përgjakshëm në Minneapolis, ku një agjent i Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlloi dhe vrau një burrë.

Trump theksoi se agjentët e ICE ishin të pambrojtur, pasi mungonte mbështetja e policisë lokale, dhe akuzoi kryetarin e bashkisë së Minneapolis dhe guvernatorin e Minesotës për “nxitje të trazirave” duke kërkuar largimin e agjentëve federalë pas dy incidenteve fatale.

“Lërini patriotët e ICE të bëjnë punën e tyre!”, shkroi Trump në postimin e tij dhe shtoi se shumë oficerë policie ishin penguar të merrnin masa, duke detyruar ICE-në të mbrohej vetë.

Në të njëjtën kohë, Trump kritikoi guvernatorin e Minesotës dhe kryetarin e bashkisë së Minneapolis të dy demokratë për veprimet e tyre, duke i akuzuar se po mbështesin një situatë kaotike me retorikën e tyre, duke e përshkruar atë si të rrezikshme dhe arrogante. Ai shtoi se ky “nxitim trazirash” ka për qëllim të largojë vëmendjen nga një çështje më serioze që ndodhet në shtetin e Minesotës.

“Ku janë dhjetëra miliarda dollarë që janë vjedhur nga shteti dikur i madh i Minesotës? Ne jemi këtu për shkak të mashtrimit të madh financiar që ka ndodhur këtu. Miliarda dollarë janë humbur, dhe kriminelët të cilët janë lejuar të infiltrohen në shtet për shkak të politikës së kufijve të hapur të demokratëve, kanë kontribuar në kaosin që po shohim”, shkruan Trump.

Ai gjithashtu shprehu shqetësim për situatën e sigurisë, duke akuzuar autoritetet vendore për mbulimin e keqmenaxhimit dhe për aspekte të tjera të mundshme të korrupsionit. Ai theksoi se shumë kriminelë të huaj të paligjshëm, përfshirë ata të dhunshëm, janë arrestuar dhe larguar nga Minesota nga agjentët e ICE.

“Ne duam paratë mbrapsht dhe i duam TANI. Mashtruesit që vodhën këto para do të shkojnë në burg, aty ku u takon. Kjo nuk është ndryshe nga një grabitje masive bankash”, shkroi Trump në postimin e tij.

Ai përfundoi postimin me një mesazh të fuqishëm: “12,000 kriminelë të huaj të paligjshëm, shumë prej të cilëve të dhunshëm, u arrestuan dhe u larguan nga Minesota. Nëse do të ishin ende atje, do të shihnit diçka shumë më të keqe se ajo që po shihni sot.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB