Profesor Myzafer Kaci renditi disa faktorë të jashtëm që ndikojnë në rritjen e këtyre tumoreve dhe kërkoi nga autoritetet krijimin e qendrave për depistimin e popullatës.
“Ushqimet, hormonet, rrezatimet ndikojnë shumë në rritjen e numrit të tumoreve. Por për fat të keq kapen vonë, sepse shqiptarët nuk kujdesen si duhet për shëndetin e tyre. I lutem autoriteteve të krijojnë disa qendra për depistim me fibroskopi apo kolonoskopi”, tha Prof. Myzafer Kaci.
Ai gjithashtu theksoi simptomat që duhet të nxisin vizitën tek mjeku, si gjaku në feçe ose një analizë fece, dhe rekomandoi fillimin e ekzaminimeve të aparatit tretës nga mosha 40 vjeç: “Ne po hasim tumore edhe tek të rinjtë, 20-30 vjeç, por masivisht fillojnë nga 40 deri në 70 vjeç, prandaj një fibro apo kolonoskopi pas moshës 40 vjeç është e domosdoshme.”
Një shqetësim i veçantë mbetet kujdesi në banesë për pacientët në fazat e fundit të sëmundjes.
“Duhet rritur kujdesi paliativ, pasi pacientët vijnë në mjekësinë interne dhe qëndrojnë 1–2 muaj në pavion. Duhet rritur kujdesi edhe në shtëpi”, u shpreh Dr. Bernard Progni.
Në një konferencë shkencore me pjesëmarrjen e mjekëve të njohur u diskutua jo vetëm rritja e numrit të rasteve dhe trajtimi i tyre, por edhe rëndësia e ndërgjegjësimit të qytetarëve për kujdesin shëndetësor.