Në krye të operacioneve anti-emigracion në SHBA, kush është agjenti italo-amerikan Greg Bovino

24/01/2026 15:49

Greg Bovino, shefi 55-vjeçar i Policisë Kufitare amerikane, është vënë në krye të operacioneve më të ashpra kundër emigrantëve pa dokumente në disa qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e administratës së presidentit Donald Trump, kundër emigracionit.

Bovino, me origjinë nga jugu i Italisë, është bërë ‘fytyra publike’ e aksioneve të zhvilluara në Los Angeles, Chicago, Charlotte, New Orleans dhe së fundmi në Minneapolis, ku operacionet e tij janë shoqëruar me përdorim force, arrestime të shumta dhe protesta qytetare.

Në disa raste janë raportuar arrestime të familjeve dhe të miturve pa precedentë penalë, si dhe përdorim i sprejit dhe mjeteve të tjera për shpërndarjen e protestuesve.

Operacionet kanë pasur emra simbolikë dhe spektakolarë si “Trojan Horse”, “Midnight Blitz”, “Swamp Sweep” dhe “Metro Surge”, ndërsa videot promovuese të operacioneve, e paraqesin veprimtarinë si heroike. Këto metoda kanë nxitur kritika të forta nga organizatat për të drejtat civile dhe nga një pjesë e opinionit publik.

Administrata Trump e ka angazhuar Bovinon pikërisht sepse e ka konsideruar ICE-in jo mjaftueshëm efektiv. Ai ka ndikuar edhe në emërimin e drejtuesve të rinj të ICE në disa qytete, duke sjellë personel nga Policia Kufitare në pozicione kyçe.

Paradoksi i figurës së Bovinos lidhet me historinë familjare: gjyshi i tij, Vincenzo, emigroi në SHBA në vitin 1924, në të njëjtën periudhë kur u krijua Border Patrol dhe u miratuan ligje për të kufizuar emigracionin nga Italia dhe Europa Jugore e Lindore.

I diplomuar në ruajtjen e burimeve natyrore dhe me dy diploma master në administratë publike dhe siguri kombëtare, Bovino iu bashkua Policisë Kufitare në vitin 1996 dhe u ngrit gradualisht deri në drejtues të lartë.

Ai është njohur për qëndrimet e tij të forta, duke e konsideruar hyrjen pa dokumente si vepër penale dhe duke premtuar arrestimin e emigrantëve që, sipas tij, përbëjnë rrezik për shoqërinë.

Pavarësisht mbështetjes politike, veprimet e Bovinos janë vënë nën lupën e gjykatave dhe mediave, ndërsa debati mbi përdorimin e forcës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe politizimin e zbatimit të ligjit vazhdon të mbetet i hapur në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB