Legalizimi i kanabisit 2 vite më parë në Gjermani, studimi: Janë shtuar psikozat tek të rinjtë

24/01/2026 16:08

Një studim i fundit nga Gjermania ngre shqetësime serioze mbi ndikimin e legalizimit të kanabisit në shëndetin mendor, veçanërisht tek të rinjtë.

Sipas një artikulli të botuar në revistën mjekësore “Deutsches Ärzteblatt”, pas hyrjes në fuqi të legalizimit të kanabisit është vëne re një rritje e ndjeshme e psikozave të shkaktuara nga përdorimi i tij. Të dhënat tregojnë se numri i rasteve të shtrimit në spital për psikoza të lidhura me kanabisin është pothuajse dyfishuar pas legalizimit.

Kjo ka forcuar shqetësimet e shoqatave mjekësore, të cilat prej kohësh paralajmërojnë për rreziqet që sjell konsumi i kanabisit, sidomos tek të rinjtë, truri i të cilëve nuk është plotësisht i zhvilluar deri rreth moshës 25 vjeç. Për këtë arsye, disa prej tyre kanë kërkuar që përdorimi i ligjshëm të lejohet vetëm pas moshës 21 vjeç.

Psikozat janë çrregullime të rënda mendore që shoqërohen me halucinacione, paranojë dhe iluzione. Në disa raste, simptomat mund të zhduken pas disa javësh, por në raste të tjera ato mund të përsëriten ose të zgjasin për gjithë jetën. Legalizimi i kanabisit në Gjermani hyri në fuqi më 1 prill 2024. Hulumtuesit analizuan shtrimet në spitalet e rajonit Schëaben, në jug të vendit, gjatë periudhës nga prilli 2022 deri në mars 2025. Studimi përfshiu persona mbi 18 vjeç të diagnostikuar me psikoza të shkaktuara nga kanabisi, çrregullime nga përdorimi i tij ose çrregullime psikotike të spektrit të skizofrenisë.

Rezultatet treguan se pas legalizimit kishte një rritje të fortë të rasteve të psikozave të lidhura drejtpërdrejt me kanabisin, krahasuar me periudhën para tij. Studime të tjera, përfshirë një nga Danimarka, tregojnë se meshkujt e rinj janë më të rrezikuar nga skizofrenia e shkaktuar nga kanabisi sesa femrat. Megjithatë, mjeket theksojnë se këto rezultate lidhen kryesisht me raste të konsumit të lartë dhe problematik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB