Vodhën shuma parash në dy karburante duke përdorur pistoletë lodër, arrestohen dy persona në Lezhë

23/01/2026 12:42

Policia e Lezhës dhe Kukës ka zbardhur dy raste vjedhjeje të ndodhura në dy karburante, ku dy shtetas të paidentifikuar kanë vjedhur shuma parash dhe naftë, duke kërcënuar punonjësit me një pistoletë lodër.

Gjatë hetimeve intensive, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Kukës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, kanë mundur të identifikojnë dhe shpallin në kërkim autorët e dy vjedhjeve. Shtetasit e dyshuar janë Emiljano Nikoll, alias Emiljano Lleshaj, 30 vjeç, dhe Aurel Luli, banues në Mamurras.

Ngjarjet kanë ndodhur gjatë mbrëmjes së 21 janarit dhe natën e 22 janarit 2026, kur autorët kanë kërcënuar punonjësit e dy karburanteve, një në autostradën “Milot-Morinë” dhe një tjetër në aksin “Lezhë–Shkodër”, duke përdorur një pistoletë lodër, për të vjedhur xhiron e turnit dhe, në një rast, edhe një sasi nafte.

Në kuadër të hetimeve, Policia ka kryer një kontroll në banesën e shtetasit Aurel Luli, ku është sekuestruar një pistoletë lodër, që dyshohet se është përdorur për kërcënimin e punonjësve të karburanteve.

Pas zbardhjes së këtyre rasteve, policia ka ndërmarrë masa për kapjen e autorëve, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB