Një shqiptar në Angli është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Kurorës në Winchester, pasi u gjet fajtor për organizimin e një rrjeti kriminal për të sjellë emigrantë shqiptarë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe për trafikim të lëndëve narkotike.

Crown Prosecution Service, të cilës i referohet Top Channel, raporton se 33-vjeçari Ibrahim Sollaku pranoi se kishte bashkëpunuar me individë të tjerë për të transportuar pesë emigrantë nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar në nëntor të vitit 2025.

Ai organizoi për një shofer taksie që të çonte emigrantët në një port belg, ku ata do të ngarkoheshin në një kamion për të kaluar në Kanalin e La Manshës. Pasi të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar, një tjetër shofer taksie do t’i merrte dhe ata do të shpërndaheshin nëpër komunitet.

Në 5 nëntor, policia belge ndërhyri dhe arrestoi shoferin e taksisë dhe pesë emigrantët shqiptarë në qytetin e Bryzhit. Sollaku u arrestua po atë ditë në Mbretërinë e Bashkuar nga oficerët e Njësisë Rajonale të Krimeve të Organizuar në Jugperëndim.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së Sollakut, policia gjeti 105 gram kokainë të mbështjellë në plastmasë, si dhe 36 gram të tjera të shpërndara në 94 tube plastike. Po ashtu, u gjetën shënime të shkruara dhe shuma të parave që dyshohet se lidhen me trafikun e lëndëve narkotike.

Në seancën e tij të deklaratës në dhjetor, Sollaku pranoi se kishte në posedim drogë klasë A me qëllim shpërndarjen.

Anja Hohmeyer, përfaqësuese e Prokurorisë së Kurorës, tha: “Ibrahim Sollaku luajti një rol kryesor në këtë komplot kriminal për të sjellë njerëz nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Ky është një operacion i suksesshëm i përbashkët mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Belgjikës për të prishur rrjetet ndërkombëtare të trafikimit të njerëzve.”

Drejtori i Krimeve të Organizuar në Jugperëndim, Adam Smith, theksoi: “Sollaku është një kriminel i lidhur mirë, duke u përfshirë në krime të organizuara si trafiku i emigrantëve dhe shpërndarja e drogës. Ai nuk e shqetësohej për rrezikun dhe dëmin që këto vepra shkaktojnë – vetëm për fitimet e tij.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB