Ergys Agasi ankesë për mosmarrjen e dosjes hetimore nga SPAK, ILD regjistron kërkesën e avokatit Maks Haxhia
Pas përmbytjeve masive që preken disa qytete të Shqipërisë, më 6 janar 2026, një grup vëzhguesish të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) realizuan një monitorim të pjesshëm për të verifikuar situatën dhe pasojat e këtyre fatkeqësive.
Kontrolli u fokusua në Bashkinë Durrës, ku u zhvilluan takime me banorë të zonës së “Kënetës” dhe u inspektuan shtëpitë e dëmtuara.
Përveç banorëve, u takuan edhe përfaqësues të autoriteteve lokale, përfshirë Administratorin e Njësisë Administrative Nr. 6, Prefektin e Qarkut Durrës dhe përfaqësues të drejtorive të ndryshme të shërbimeve publike.
Në përfundim të monitorimit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ndan disa shqetësime dhe rekomandime të rëndësishme lidhur me përgjegjësinë institucionale dhe transparencën në procesin e dëmshpërblimit për banorët e dëmtuar.
Kjo përfshin:
Verifikimi dhe Përgjegjësia Institucionale: Autoritetet lokale kanë identifikuar hedhjen e mbeturinave dhe ndërhyrjet në infrastrukturën e kanalizimeve si shkaktarët kryesorë të përmbytjeve. KShH kërkon që të realizohet një verifikim gjithëpërfshirës i punës së institucioneve që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e sistemit të kanalizimeve dhe mbrojtjen e mjedisit. Shteti nuk mund të ngarkojë përgjegjësitë vetëm tek banorët, por duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësitë e tij në këtë drejtim.
Përgjegjësitë e Bashkive: Sipas Ligjit nr. 139/2015 për Vetëqeverisjen Vendore, bashkitë janë përgjegjëse për mbledhjen, trajtimin dhe largimin e ujërave të shiut dhe përmbytjeve në zonat e banuara. KShH thekson nevojën për një plan masash për parandalimin e përmbytjeve masive të tjera, i cili duhet të hartohet nga njësitë e qeverisjes vendore në shkallë vendi, në përputhje me Ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”.
Informimi dhe Transparenca për Dëmshpërblimet: Disa banorë kanë shprehur shqetësimin se nuk janë informuar mbi procedurat për përfitimin e dëmshpërblimeve, ndërsa ata që kanë dorëzuar dokumentacionin nuk kanë marrë një kopje të procesverbalit të mbajtur nga komisionet e vlerësimit të dëmeve. KShH kërkon që të rritet transparenca dhe informimi për qytetarët lidhur me procesin e vlerësimit dhe ndarjes së dëmshpërblimeve.
Përmirësimi i Kapaciteteve të Njësive Administrative: Njësitë administrative, si ajo e Bashkisë Durrës, duhet të jenë të pajisura me personel të mjaftueshëm për të përballuar emergjencat civile dhe për administrimin e kërkesave të banorëve. Situata e krijuar nga mungesa e dy inspektorëve dhe ngarkesa e administratës përballë kërkesave të shumta është një shenjë e domosdoshmërisë për forcimin e kapaciteteve të këtyre njësive.
Afati për Dëmshpërblime: KShH thekson nevojën që procesi i vlerësimit të dëmeve dhe ndarjes së dëmshpërblimeve të realizohet në një afat të arsyeshëm. Disa banorë kanë raportuar se një situatë e ngjashme përmbytjesh kishte ndodhur para tre vitesh dhe ata kishin marrë dëmshpërblim vetëm pas dy vitesh vonesë. KShH kërkon që dëmshpërblimi të bëhet në përputhje me parimet e efiçencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit.
Në përfundim, Komiteti Shqiptar i Helsinkit apelon për një angazhim të institucioneve dhe autoriteteve lokale për një trajtim më të përgjegjshëm dhe transparent të situatave të emergjencave civile, si dhe për një vëmendje të shtuar ndaj nevojave dhe të drejtave të qytetarëve, të cilët duhet të ndihen të mbrojtur dhe të informuar për çdo hap të procesit të vlerësimit dhe dëmshpërblimit.
Top Channel