Pas deklaratave të Trump se NATO qëndroi larg vijave të frontit në Afganistan, reagon Shtëpia e Bardhë: Ai ka të drejtë, kontributet e Amerikës janë…
Gjykata penale e Spanjës ka vendosur për herë të dytë të ndalojë hetimin për përdorimin e programit spiun Pegasus ndaj telefonave të zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke akuzuar autoritetet izraelite për mungesë të vazhdueshme bashkëpunimi dhe shkelje të parimit të mirëbesimit mes shteteve.
Vendimi u bë i ditur nga gjyqtari José Luis Calama i Audiencia Nacional në Madrid, i cili theksoi se moskthimi i përgjigjeve nga Izraeli ndaj kërkesave zyrtare për informacion ka penguar identifikimin e autorëve të përgjimeve, duke e bërë të pamundur vijimin e hetimit.
Hetimi kishte nisur në maj 2022, pasi qeveria spanjolle njoftoi se telefonat e kryeministrit Pedro Sánchez dhe ministres së Mbrojtjes Margarita Robles ishin infektuar një vit më parë me spyware-in Pegasus, i prodhuar nga kompania izraelite NSO Group. Më pas u konstatua se ishin vënë në shënjestër edhe telefonat e ministrit të Brendshëm dhe atij të Bujqësisë.
Zbulimet shkaktuan pasoja politike në Spanjë, duke çuar në shkarkimin e shefes së shërbimit sekret, Paz Esteban, si dhe në pranimin e mangësive brenda Qendrës Kombëtare të Inteligjencës (CNI).
Calama theksoi se Izraeli ka shkelur dy marrëveshje ndërkombëtare ligjore që ka nënshkruar dhe se sjellja e tij cenon ekuilibrin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai kujtoi se hetimi ishte mbyllur fillimisht në korrik 2023, por u rihap pas informacioneve të ardhura nga Franca për përdorimin e Pegasus ndaj zyrtarëve francezë, të cilat megjithatë nuk sollën prova të reja vendimtare.
Sipas gjyqtarit, pa bashkëpunimin e autoriteteve izraelite, përfshirë edhe marrjen në pyetje të drejtuesve të NSO Group, hetimi mbetet i “ngrirë” derisa të dalin prova të reja.
Nga ana e saj, NSO Group ka deklaruar se dënon çdo përdorim të paligjshëm të teknologjisë së saj dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet, duke theksuar se kompania vetëm ofron softuerin dhe nuk ka kontroll mbi mënyrën se si përdoret nga klientët shtetërorë.
Top Channel