Afati i armëpushimit po skadon ndërsa bisedimet mbeten të pasigurta, forcat siriane pozicionohen në zonat e fundit të kontrolluara nga kurdët

23/01/2026 22:49

Forcat qeveritare siriane po grumbullohen rreth zonave të fundit të kontrolluara nga kurdët në verilindje të vendit, ndërsa afati i armëpushimit po skadon dhe bisedimet mbeten të pasigurta.

Automjete ushtarake dhe autobusë me luftëtarë janë parë pranë qytetit kurd të Hasakah, ku edhe forcat kurde kanë përforcuar pozicionet e tyre.

Qeveria siriane mori kontrollin e një burgu në veri të vendit të dielën, pasi luftëtarët kurdë u tërhoqën nga kompleksi. Një zyrtar i lartë e cilësoi këtë zhvillim si një sinjal pozitiv se armëpushimi midis palëve mund të zbatohet. Gjatë dy javëve të fundit, trupat qeveritare kanë rimarrë territore të gjera në Sirinë veriore dhe lindore, të cilat më parë kontrolloheshin nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), të dominuara nga kurdët, duke konsoliduar pushtetin e presidentit Ahmed al-Sarrah.

Sipas raportimeve, në fillim të kësaj jave, forcat e Sarrah-it u pozicionuan rreth qyteteve të fundit nën kontrollin e kurdëve, pikërisht kur u shpall papritur armëpushimi. SDF-së iu dha afat deri të shtunën në mbrëmje për të paraqitur një plan për integrimin e tyre në ushtrinë siriane.

Ky afat synon të zbatojë marrëveshjen e arritur më 18 janar, e cila parashikon integrimin e institucioneve gjysmë-autonome kurde në shtetin qendror sirian, një hap të cilit SDF-ja i ka rezistuar gjatë vitit të kaluar. Marrëveshja përfshin gjithashtu marrjen nga qeveria të kontrollit mbi burgje dhe kampe të drejtuara nga SDF-ja, ku mbahen luftëtarë dhe civilë të lidhur me grupin Shteti Islamik.

Këtë javë, një burg dhe një kamp paraburgimi kaluan nën kontrollin e qeverisë pas një tërheqjeje kaotike të SDF-së, gjatë së cilës disa të burgosur të lidhur me ISIS-in u arratisën përkohësisht. Për të shmangur një vakum sigurie, qeveria negocioi tërheqjen e luftëtarëve kurdë nga burgu al-Aqtan në provincën Raka.

Një zyrtar i lartë i qeverisë siriane i tha Reuters se këto zhvillime kanë rritur shpresat për një zgjidhje politike, por shtoi se ende nuk ka pasur përgjigje nga SDF-ja lidhur me planin e integrimit apo me emrin e kandidatit për postin e zëvendësministrit të mbrojtjes, siç është kërkuar nga presidenti Sarrah.

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, të dyja palët po përgatiten për skenarë të mundshëm ushtarakë. Reuters raportonë për lëvizje të shumta të forcave qeveritare pranë Hasakahut, ndërsa edhe forcat kurde kanë shtuar masat mbrojtëse.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca, ndërmjetës kryesorë në procesin e armëpushimit, i kanë kërkuar qeverisë siriane të mos dërgojë trupa në zonat ende të kontrolluara nga kurdët. “U bëjmë thirrje autoriteteve siriane të marrin përgjegjësinë e plotë për mbrojtjen e të gjithë civilëve, përfshirë civilët kurdë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze, Pascal Confavre.

Ndërkohë, SHBA-të po ndihmojnë në transferimin e të burgosurve të Shtetit Islamik nga Siria drejt Irakut. SDF-ja u tërhoq gjithashtu nga kampi al-Hol, ku ndodhen rreth 28 mijë civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, të lidhur me ish-kalifatin e ISIS-it.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) konfirmoi se ka rifilluar shpërndarja e ndihmave bazë në kamp, përfshirë ushqim dhe ujë, pas një ndërprerjeje tre-ditore për shkak të pasigurisë.

Humbja e shpejtë e territoreve nga SDF-ja përbën ndryshimin më të madh në hartën e kontrollit të Sirisë që nga rrëzimi i Bashar al-Assad-it në fund të vitit 2024. Megjithëse presidenti Sarrah është zotuar të qeverisë për të gjithë sirianët, pakicat etnike dhe fetare mbeten skeptike ndaj pushtetit të tij.

Në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me kurdët, më 16 janar ai shpalli gjuhën kurde si gjuhë kombëtare, krahas arabishtes.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi se armëpushimi është thelbësor për sigurinë rajonale, veçanërisht gjatë transferimit të të burgosurve të ISIS-it, për të shmangur destabilizimin e mëtejshëm të Sirisë veriore dhe lindore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB