PD dhe PS bashkojnë votat në Kuvend/ Pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes, Ministrja Spiropali: Garanci për orientimin euroatlantik të vendit

22/01/2026 12:17

Është miratuar me 13 vota pro projektligji për Bordin e Paqes, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit.

E pranishme në komision, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali tha se ky projektligj është në përputhje me dispozitat e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas Siropalit, ky partneritet mbetet garanci për orientimin euroatlantik të vendit.

“Ky partneritet mbetet shtylla kryesore e politikës së jashtme dhe garanci për orientimin euroatlantik të vendit. Nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese, ky projektligj është në përputhje me dispozitat e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Karta e Bordit të Paqes parashikon që asnjë shtet nuk është i detyruar të marrë pjesë në misione pa pëlqimin e tyre dhe se sovraniteti kombëtar mbetet i paprekur. Shtetet mund të përfaqësohen në bord nga kreu i shtetit ose kreu i qeverisë. Çdo shtet anëtar ka një mandat tre vjeçar, subjekt i rinovimit nga kryetari i Bordit të Paqes”-tha ministrja e Jashtme.

Spiropali shtoi se në këtë fazë, projektligji nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

“Kontributet do të jenë vullnetare dhe do të planifikohen në mënyrë transparente në buxhetin ne Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, sipas standarteve buxhetore afatmesme. Akti është hartuar nga ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në bazë të informacioneve të sjella nga ambasada e Shqipërisë në Uashington”-shtoi Spiropali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB