Qumësht formule bebesh me baktere, AKU tërheq nga tregu produktin “NAN 1 OPTIPRO”
Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj për vonesën e pagave për punonjësit e shëndetësisë.
Infermierët dhe stafi mjekësor nuk kanë marrë ende pagën e muajit dhjetor 2025. Në një deklaratë për mediat, shoqata kritikon mungesën e njoftimeve dhe justifikimeve nga institucionet përgjegjëse, si dhe heshtjen e sindikatave që, sipas saj, reagojnë vetëm për interesa politike ose personale, duke mos mbrojtur punonjësit.
“Punonjësit heshtin nga frika e presioneve dhe kërcënimeve për largim nga puna, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar dhe premton vetëm rritje page simbolike,” thuhet në deklaratë.
Shoqata thekson se kjo është një problematikë që përsëritet prej vitesh, ndërkohë që punonjësit e frontit të parë detyrohen të presin pa fund për të marrë të drejtën e tyre financiare, duke punuar pa sigurimin e të ardhurave.
Reagimi i plotë:
Shoqata e Infermiereve te Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj lidhur me vonesën ekstreme të mos kalimit të pagës për punonjësit e Shëndetësisë. Pa asnjë njoftim dhe pa asnjë justifikim edhe pse data është 22 Janar 2026 paga e muajit Dhjetor 2025 ende nuk ju është dhēnë punonjësve të Shëndetësisë. Më e turpshme se kjo është dhe heshtja që ka kapluar çdo indivi, punonjës dhe institucion e për më tepër sindikatat inekzistente në Shqipëri që reagojnë vetëm kur kanë interesa personale apo politike për marrje kuotash ose fondesh por që punonjësit i shohin si përfitim e jo si individ për ti përfaqësuar. Heshtja e vetë punonjësve që dhe kur sju japin hakun e merituar heshtin nga frika e presioneve të vazhdueshme që ju bëhen me largime nga puna. Dhe qershia mbi tortë është heshtja e vetë Ministrisë lidhur me këtë shqetësim duke mos bërë asnjë reagim e për më tepër duke premtuar rritje page në formë lëmoshe ose si formë për tju mbyllur gojën.
Një problematikë e përsëritur prej vitesh e pa asnjë përgjegjësi e përgjegjës dhe e gjitha rëndon mbi punonjësit që rrinë me sytë nga banka kur do ju kaloj paga.
Është turp që pas kaq shumë skandalesh në Shëndetësi dhe vjedhje të pajustifikuara nuk ka akoma lëkë për tju paguar pagat punonjësve që janë fronti i parë në përballje në çdo situatë që vendi kalon.
Duke shpresuar që dikush të dalë të mbaj përgjegjësinë për këtë shpresojmë që ky fenomen të mos përsëritet më. Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë; 22 Janar 2026, Tiranë
Top Channel