Një orë takim kokë më kokë, çfarë bisedoi Trump dhe Zelensky në Davos?

22/01/2026 16:23

Zgjati pak më shumë se një orë takimi në Davos mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelensky, i cili pati refuzuar një ditë më parë të udhëtonte drejt Zvicrës nëse nuk do të arrinte dot atje një rezultat konkret për kërkesat e tij për më shumë ndihmë për vendin e përballur me një valë të ripërtërirë sulmesh të ashpra ruse.

Zyrtarët ukrainas shpresojnë se përballja e Trumpit dhe Zelenskyt do të ndihmojë në avancimin e bisedimeve të paqes, përfshirë edhe diskutimet mbi një plan rindërtimi pas luftës. Një zëdhënës i palës ukrainase u shpreh “se ky ishte një takim i mirë”, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ai la të kuptohet për cdo rast se edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje për rimëkëmbjen e Ukrainës, ajo do të jetë shumë ndryshe nga plani që administrata Trump prezantoi më herët gjatë ditës për rindërtimin e Gazës, që përfshinte pamje dhe skica të një qyteti futurist, shkruan Financial Times.

Zyrtarët në fjalë pohojnë se diskutimet për rindërtimin e Ukrainës kanë mbetur në një nivel të përgjithshëm dhe ende pa hollësi konkrete. Zelensky pritet të japë një konferencë për shtyp, e gjasat janë që të zbulojë ai vetë ndonjë të dhënë më shumë nga takimi.

Ekspertët qenë shprehur që në fillim se në këtë moment, do të prisnin më shumë një deklaratë vullneti të mirë sesa një marrëveshje të vulosur e të detajuar për Ukrainën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB