Video/ Uragani ‘Harry’ godet Italinë, alarm i kuq në Siçili dhe Sardenjë, nis evakuimi i banorëve

21/01/2026 18:47

Video dhe imazhe dramatike tregojnë fuqinë shkatërruese të uraganit “Harry”, i cili ka përfshirë Mesdheun qendror me fenomene ekstreme, duke shkaktuar probleme serioze dhe fatkeqësi natyrore.

Siçilia, Sardenja dhe Kalabria u vendosën në alarm të kuq, ndërsa uragani goditi Italinë jugore dhe rajonin mesdhetar gjatë orëve të fundit. Autoritetet evakuuan zonat bregdetare, shkollat u mbyllën dhe hyrja në plazhe u ndalua.

Në Siçili, reshjet e rrëmbyeshme shkaktuan përmbytje të përhapura, ndërsa erërat e forta dhe dallgët e fuqishme krijuan fenomene të përshkruara si “efekte cunami”, duke mbuluar rrugë dhe sheshe në zonat bregdetare. Si masë paraprake, rreth 190 persona u evakuuan nga banesat e tyre.

Pamje të rralla u regjistruan në Mazara del Vallo, ku dallgët kaluan 8 metra, ndërsa në Catania arritën deri në 5 metra. Në zonën e Mesinës, një pjesë e rrugës bregdetare në Santa Teresa di Riva u shemb, ndërsa sasia e madhe e ujit rriti ndjeshëm rrezikun e rrëshqitjeve të dheut.

Situata ishte po aq kritike në Kalabri. Në qytetin e Crotone-s, dy lagje u urdhëruan të evakuoheshin, ndërsa një pjesë e varrezave të vjetra u shemb. Në Sardenjë, deti depërtoi në zonat e banuara pranë Kaljarit, me rrugë të mbyllura për shkak të përmbytjeve.

Autoritetet meteorologjike theksuan se, ndonëse fenomene të ngjashme janë regjistruar edhe më parë, intensiteti i ciklonit “Harry” ishte veçanërisht i lartë, me erëra që në disa zona arritën deri në 130 km/orë. Kushtet e motit nisën të përmirësohen gradualisht pasditen e së martës, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri.

Probleme serioze u raportuan edhe në Maltë, ku moti i keq zgjati më shumë se 24 orë. Fluturimet dhe linjat detare u anuluan, dhjetëra pemë u shkulën dhe u raportuan dëme në banesa, dyqane dhe infrastrukturë. Erërat arritën shpejtësinë 104 km/orë në një stacion meteorologjik në Valeta, ndërsa dallgë të fuqishme goditën zona si Birzebbuga, Marsaskala, Sliema dhe St. Julian’s.

Sipas Mbrojtjes Civile Italiane, dëmet nga vala e motit të keq që ka goditur Siçilinë kanë tejkaluar gjysmën e miliardit euro.

“Në orët e fundit jemi përqendruar vetëm në operacionet e shpëtimit. Tani ka filluar vlerësimi i dëmeve, të cilat janë të konsiderueshme, veçanërisht në zonat e ishullit pranë Detit Jon”, deklaroi presidenti i rajonit të Siçilisë, Renato Schifani.

Mediat raportojnë se dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në sektorin e peshkimit, një shtyllë kryesore e ekonomisë së ishullit, me një numër të pallogaritshëm anijesh të shkatërruara.

Cikloni “Harry” ka shkaktuar probleme serioze edhe në Kalabri, veçanërisht në qytetin e Catanzaros, ku zjarrfikësit arritën të shpëtonin një punonjës të kompanisë së energjisë elektrike, i cili rrezikonte të mbytej pasi mbeti i bllokuar në automjetin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB