Të izoluar nga një lundër, fshati Shëndëlli kërkon zgjidhje. Lundra e Butrintit s’është gjithmonë në punë

20/01/2026 15:27

Banorët e fshatit Shëndëlli, në Bashkinë Konispol, janë ngritur paraditen e sotme në një tubim paqësor, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për izolimin e zonës së tyre, si pasojë e mosfunksionimit të shpeshtë të lundrës së Butrintit.

 

Prej vitesh, për shkak të gjendjes së amortizuar të lundrës, banorët mbeten të izoluar për ditë të tëra, pa mundësi qarkullimi drejt Sarandës dhe zonave përreth, edhe për nevoja emergjente shëndetësore apo jetike.

Lundra është e vetmja pikë lidhëse për një zonë ku jetojnë mijëra banorë dhe qindra familje, të fshatrave të Bashkisë Konispol, përfshirë Shëndëllinë, Vrinën, Xarrën, Mursinë dhe zona të tjera përreth.

Sipas banorëve, mjeti është i vjetëruar dhe pa investime rehabilituese, ndërsa ndërprerjet e shpeshta e kanë kthyer lundrën në burim rreziku.

Ata deklarojnë se në këtë pikë kalimi kanë ndodhur incidente të shumta, madje edhe me pasoja fatale për jetën, prandaj kërkojnë ndërtimin e një ure mbi Kanalin e Vivarit, si zgjidhja e vetme e qëndrueshme për lëvizjen, sigurinë dhe zhvillimin e zonës.

Në lidhje me këtë situatë, Top Channel ka kontaktuar Bashkinë Konispol, ku kryetari i saj ka deklaruar se ndërtimi i urës është një domosdoshmëri për zonën, por kalon kapacitetet financiare të bashkisë, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen e qeverisë qendrore për realizimin e këtij investimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB