Ekzekutimi i snajperistit në Angli/ Kush është 26-vjeçari që u vetëdorëzua në Tiranë, i bashkëakuzuar me ‘Babalen’ e TikTok-ut
Pas njoftimit të Prokurorisë për Përgjithshme për çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, PD i kërkon zyrtarisht SPAK që të nisë hetimet për këtë të fundit.
Në njoftimin e dhënë sot nga Prokuroria, bëhet me dije se rezultatet për Gjokën ia kanë dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor për të marrë më pas vendim, por se cilat janë gjetjet nuk janë specifikuar.
Ndërkohë në një shkresë zyrtare grupi parlamentar i PD i kërkon SPAK që të nisë hetimet për të sa më parë. Kujtojmë se PD hedh akuza për Gjokën se kjo e fundit ka qenë e dënuar në Greqi.
Kërkesa e plotë:
Pasi Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi sot se gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka rezulton e dënuar në shtetin grek dhe një fakt të tillë e ka fshehur në formularët e vetdeklarimit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme, përfundimin pa vonesa të hetimit të saj për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Në shkresën e firmosur në emër të opozitës, nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, theksohet se “përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka falsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit. Është e pashpjegueshme sesi ende sot Prokuroria e Posaçme zvarrit hetimin për këtë rast, duke vijuar devijimin nga parimi i barazisë përpara ligjit dhe duke lejuar vijimin e gjendjes së paligjshmërisë në sistemin gjyqësor.”
Deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, shprehin shqetësimin e thellë, për mosveprimin në kohë të Prokurorisë së Posaçme, që po sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në sistemin gjyqësor. “Cenimi i parimit të “gjykatës së caktuar me ligj”, është shkak i mjaftueshëm kushtetues për të cënuar çdo vendimmarrje të saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar. Kjo ka pasoja të rënda për vetë sistemin e drejtësisë, për vetë punën e Prokurorisë së Posaçme, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar. Ky rast cenon edhe besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe krijon pasiguri mbi vendimmarrjet e sistemit gjyqësor, duke cenuar integritetin e të gjithë sistemit.”- thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi.
Në përfundim, opozita thekson se “Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në çështje konkrete në hetim apo në punën e Prokurorisë së Posaçme, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Prokurorisë së Posaçme që të veprojë në kohë, pa vonesa të mëtejshme, me paanësi dhe në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit, për hetimin brenda një afati të arsyeshëm të këtij rast. Çdo vonesë nga ana juaj për përgjegjësinë penale apo nga organet e tjera kushtetuese për përgjegjësinë administrative, shkakton pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar.”
Top Channel