Trump nuk i ndal lëvdatat për veten: Po të mos isha bërë president, NATO nuk do të ekzistonte sot
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, po përpiqet të nxisë një rend të ri tregtar global duke forcuar bashkëpunimin me Kinën dhe duke nënshkruar marrëveshje më të vogla tregtare, ndërsa përballet me kufizimet që vijnë nga varësia e madhe ekonomike e Kanadasë nga Shtetet e Bashkuara.
Javën e kaluar, Carney e çoi më tej strategjinë e divesifikimit të tregtisë, duke nënshkruar një marrëveshje me Kinën, një qasje që shkon përtej asaj të disa aleatëve evropianë. Ai synon ta paraqesë Kanadanë si një udhëheqëse të mundshme të një rendi të ri tregtar global, pas tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, të cilat kanë tronditur marrëdhënie të vjetra tregtare.
Përpjekjet për të krijuar aleanca dhe partneritete të reja tregtare janë bërë më urgjente për vende si Kanadaja, ndërsa politika e jashtme e Trump po bëhet gjithnjë e më agresive dhe e paparashikueshme. Trump ka intensifikuar gjithashtu presionin për sovranitetin mbi Groenlandën, duke shkaktuar reagime dhe shqyrtime kundërmasash nga Bashkimi Evropian.
Carney, ish-guvernator i Bankës së Anglisë dhe Bankës së Kanadasë, fitoi zgjedhjet vitin e kaluar me premtimin për të krijuar aleanca të reja ekonomike, me qëllim që Kanadaja të përballojë tarifat e SHBA-së dhe kërcënimet për aneksim.
Para se të merrte pjesë në forumin vjetor ekonomik në Davos, Carney zhvilloi vizita në disa vende që më parë ishin anashkaluar nga diplomacia kanadeze. Duke folur në Doha, ai deklaroi se marrëdhëniet shumëpalëshe dhe sistemi i bazuar në rregulla po dobësohen, përfshirë edhe nga vendime të SHBA-së.
“Ku ka përparim, është përmes marrëveshjeve plurilaterale, marrëveshje mes një numri më të vogël vendesh”, tha Carney, duke shtuar se Kanadaja po përpiqet të shërbejë si urë lidhëse mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Paqësorit.
Edhe ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, theksoi se vendi i saj synon të marrë rol udhëheqës në këtë moment paqëndrueshmërie globale.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian po përshpejton gjithashtu përpjekjet për diversifikimin e tregtisë, duke nënshkruar marrëveshje me bllokun Mercosur, Indonezinë dhe duke rifilluar negociatat me disa vende të tjera. Megjithatë, ndërsa BE-ja eksporton pak më shumë se 20% të mallrave të saj drejt SHBA-së, Kanadaja vazhdon të dërgojë rreth 70% të eksporteve në tregun amerikan.
Sipas ekonomistëve, për të ulur eksportet drejt SHBA-së me vetëm 10%, Kanadaja do të duhej të dyfishonte eksportet drejt vendeve si Kina, Gjermania, Franca, Meksika, Italia dhe India.
Carney ka premtuar se do të dyfishojë eksportet jashtë SHBA-së brenda dhjetë viteve të ardhshme, por ekspertët paralajmërojnë se kjo e bën Kanadanë gjithnjë e më të varur nga Kina, partneri i saj i dytë tregtar.
Ekonomistët theksojnë se një integrim shumë i shpejtë me Kinën mund të sjellë rreziqe për stabilitetin afatgjatë të ekonomisë kanadeze, për shkak të kapacitetit të madh prodhues të Kinës dhe mundësisë së “përmbytjes” së tregut.
Megjithëse pjesa e eksporteve kanadeze drejt SHBA-së ka rënë në nivelin më të ulët historik jashtë periudhës së pandemisë, SHBA-ja vazhdon të përbëjë mbi 67% të eksporteve totale. Rreth 90% e naftës bruto kanadeze ende shkon drejt tregut amerikan.
Carney është bërë së fundmi kryeministri i parë kanadez që viziton Katarin dhe i pari që viziton Kinën që nga viti 2017. Në Pekin, ai deklaroi se Kina është shndërruar në një partner më të parashikueshëm sesa SHBA-ja.
Ai pritet gjithashtu të vizitojë Indinë, pasi dy vendet rivendosën marrëdhëniet diplomatike dhe ranë dakord të rifillojnë bisedimet tregtare. Kanadaja ka përfunduar gjithashtu marrëveshje tregtare me Ekuadorin dhe Indonezinë, si dhe marrëveshje investimesh me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministri i Tregtisë, Maninder Sidhu, deklaroi se fokusi i ardhshëm do të jetë te Filipinet, Tailanda, Mercosur, Arabia Saudite dhe India, duke theksuar se qeveria synon të përshpejtojë ndjeshëm nënshkrimin e marrëveshjeve të reja tregtare.
Top Channel