Në një kohë kur Kosova është mburrur si dhe lavdëruar nga të tjerët për mbajtje të zgjedhjeve të drejta, demokratike dhe të lira, dyshimet për manipulime me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, kanë nxitur rinumërim të plotë të votave për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të hënën se do t’i rinumërojë të gjitha votat, pasi paraprakisht kishte vendosur t’i numëronte vetëm një të tretën e tyre.
Një hetim i Komisionit kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë dhe gjatë numërimit të pjesshëm u vërtetua se dallimet janë të mëdha në vota.
Si pasojë, prokurorët kanë filluar të mbledhin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa KQZ-ja ka shkarkuar përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren, ku dyshimet për manipulime janë të mëdha.
E gjithë kjo ka shkaktuar shumë reagime në vend në nivele të ndryshme, përfshirë nga vetë disa kandidatë të cilëve pas rinumërimit të pjesshëm u janë hequr nga dhjetëra deri në mijëra vota.
Ndër ta ka kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Më poshtë mund t’i lexoni reagimet e disa prej deputetëve të cilëve u janë hequr vota:
FETAH PAÇARIZI – PDK
Ajo që po ndodh gjatë procesit të rinumërimit të votave nga KQZ është serioze dhe shqetësuese. Kjo situatë ngre dyshime të arsyeshme mbi integritetin e numërimit dhe rinumërimit dhe cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë.
Prokuroria e Shtetit ka detyrim ligjor dhe moral të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale. Njëkohësisht, KQZ, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj. Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie.
Kërkoj transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore.
NAIT HASANI – PDK
Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 është cenuar rëndë vullneti i lirë i qytetarëve dhe është sulmuar drejtpërdrejt dinjiteti im politik dhe kombëtar.
Me atë që pashë në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik.
Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit.
Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat.
LULJETA VESELAJ-GUTAJ – PDK
Mu cenua integriteti im dhe i shtetit demokratik, [personat] e papërgjegjshëm të vihen para përgjegjësisë.
Sivjet bëhen 20 vjet të karrierës sime pulitke, e përkushtuar të kontribuoj në ndërtimin e shtetit tonë. 20 vjet të jetës sime kam punuar me profesionalizëm, parime të drejta, kompetencë dhe integritet, i cili për herë të parë në jetën time po më cenohet nga individë që procesin zgjedhor e kanë menaxhuar me papërgjegjësi dhe agjenda të panjohura për mua dhe pa dijeninë time.
Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund asesi të falet, dhe do të kërkoj përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për dëmin e shkaktuar jo vetëm ndaj integritetit tim personal e politik, por edhe të integritetit të procesit më të shenjtë që e ka vendi ynë, atij zgjedhor.
ANTON QUNI – LDK
Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve.
Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore.
Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit.
Motivin dhe qëllimin e vërtetë prapa këtij operacioni kriminal duhet ta vërtetojnë institucionet e drejtësisë.
Deklaroj se jam plotësisht i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë, Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë për të zbardhur këtë skandal deri në fund.
DRITON SELMANAJ – LDK
Unë si kandidat për deputet dhe si kryetar i degës së LDK-së në Prizren distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve të komunës sonë.
Kemi dyshimet tona që ky skenar ka qenë i mirë organizuar dhe ka përshirë të gjithë kandidatët dhe të gjitha partitë politike për ta balancuar dhe shpërndarë abuzimin tek të gjithë, në mënyrë që të mos identifikohet lehtë si problem.
Por këtë tashmë i mbetet ta vërtetojnë organet e drejtësisë.
Po e përsërisë atë që e kam thënë edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit, se KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta rikthejnë rregullsinë e procesit dhe me këtë abuzuesit të marrin dënimin e merituar.
Rinumërimi i votave në gjithë Kosovën, është e vetmja mënyrë që zbardh të vërtetën dhe rikthen besimin e të gjithëve për këtë proces elektoral.
BURIM RAMADANI – AAK
Më fyejnë e më terrorizojnë edhe votat e shtuara, edhe votat e hequra. Çdo manipulim i votës është shkelje e vullnetit qytetar dhe dëmtim i demokracisë.
Kjo është e tmerrshme! E papranueshme! E gërditshme!
Jam ushtar i demokratizimit të shtetit e shoqërisë sonë. Pavarësisht përballë kujt, qëndroj njëjtë gjithmonë.
Përtej reagimeve të këtyre figurave partiake, njohës të çështjeve zgjedhore besojnë se ky është cenimi më i rëndë që i është bërë procesit zgjedhor në Kosovë prej vitit 2010.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bëri të ditur se koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave të fillojnë grumbullimin e informatave dhe provave të nevojshme që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor./REL
Top Channel