Exclusive/ Çfarë i shkaktoi përmbytjet, zbardhen dokumentet. Nga kullimi tek hidrovoret, investimet mbeten në letër

19/01/2026 11:45

Nga Durrësi në Fier, nga Lezha në Gjirokastër, përmbytjet lanë pas dëme të rënda në banesa, humbje të gjësë së gjallë dhe mijëra hektarë tokë bujqësore të shkatërruara. Lagje të tëra në Spitallë, Ish-Kënetë e Shkozet u kthyen në liqene, ndërsa në fshatra si Kashishti, Sukthi apo Katundi i Ri, banorët u detyruan të braktisin shtëpitë për të shpëtuar jetën.

Uji hyri në oborre, në dhoma gjumi e në stallat e bagëtive. Në disa zona, përmbytjet morën edhe viktima, duke e kthyer emergjencën natyrore në tragjedi njerëzore. Pamje të njohura, që çdo fillim viti rikthehen me të njëjtin skenar: reshje intensive, lumenj të pakontrolluar dhe një vend që duket ende i pambrojtur përballë fatkeqësive natyrore.

Ky Exclusiv është pasqyra e atyre ditëve, por edhe një pyetje e hapur për të nesërmen, a po përmbytemi vetëm nga shirat, apo edhe nga mungesa e marrjes së masave të duhura?

PËRMBYTJET, NJË REALITET I PËRHERSHËM

Që prej viteve 1950 deri në ditët e sotme është regjistruar një rënie e lehtë e reshjeve mesatare vjetore, por nga ana tjetër, përmbytjet janë shtuar dhe janë shndërruar në rrezikun më të shpeshtë klimatik në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit.

Rreth viteve ‘62-‘63 konsiderohet përmbytja më e madhe historike në Shqipëri. Reshje shumë të forta dhe të zgjatura gjatë dimrit, sollën rritje ekstreme të prurjeve në Drin, Bunë, Mat, Ishëm, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. U përmbytën dhjetëra mijë hektarë tokë bujqësore në Ultësirën Perëndimore, ndërsa qytete si Shkodra dhe Lezha u prekën drejtpërdrejt. Kjo ngjarje shërben ende si pikë reference hidrologjike. Ndërsa deri në vitet ‘96-‘97 ka qenë më e kontrolluar.

Më pas për shkak të degradimit të kanaleve të kullimit rreziku u rrit ndjeshëm. Përmbytjet e vitit 2002-2004 e kthyen këtë fenomen në vjetor ndërsa viti 2010 shënon dhe periudhat më të rënda në Shqipëri, të regjistruar në Shkodër dhe zonat përreth Drinit dhe Bunës. Me dëme të mëdha të cilat një pjesë kanë ngelur edhe të pashlyera. Një dekadë e gjysmë më vonë fenomenet përsëriten, duke u kthyer në një realitet të përhershëm, ku qytetarëve u dëmtohen gjithçka.

“Në vitet 63-63 u analizua që shkaku ishte mungesa e kullimit dhe bonifikimit. U ndërhy në atë kohë me aq mjete me aq dijeni me aq burime njerëzore”- shprehet Agron Haxhimali.

“Para viteve 90 Shqipëria ishte e centralizuar por kishte ekspert shumë të mirë. Qoftë edhe me çudi si hidrocentrali Fierzës, bujqësia sistemi kullimit vaditjes gjithçka e kontrolluar e menaxhuar më lehtë”-shprehet ish-ministri Arben Malaj.

BUXHETET QË PREKIN REKORDE

Çdo vit, në buxhetin e shtetit parashikohet një zë i veçantë për emergjencat civile, i menduar për të përballuar situata të jashtëzakonshme që lidhen me fatkeqësitë natyrore dhe rreziqet mjedisore. Ky fond mbulon ndërhyrjet për shuarjen e zjarreve, sistemet e ujitjes dhe kullimit, mbrojtjen nga përmbytjet, rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar, si dhe ndihmën emergjente për familjet e prekura. Vlera e këtij fondi ka ndryshuar nga viti në vit, duke reflektuar si prioritetet buxhetore ashtu edhe intensitetin e rreziqeve: nga 4.5 miliardë lekë në vitin 2023, në 3.4 miliardë lekë në 2024, 3.9 miliardë lekë në 2025 dhe 5.8 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2026. Megjithatë, pavarësisht rritjes së fondeve në vite të caktuara, përmbytjet dhe emergjencat vazhdojnë të tregojnë se nevojat në terren shpesh tejkalojnë parashikimet në letër.

“Mua më intereson që p më rriten përmbytjet dhe nëse do të ks8ihim një buxhet në rritje do të kishim dhe ndonjë parandalim zvogëlim.”- shprehet Agron Haxhimali.

Vitet e fundit Banka Botërore ka ngritur paralajmërimet e marrjes së masave nga shteti shqiptar për rreziqet nga përmbytjet në vend. Në këtë kontekst, për të paraprirë situata të ngjashme dhe për të adresuar dëmet, qeveria vendosi në listën e projekteve publike me prioritet për vitin 2026 një fond mbi 2.2 miliard lekësh, buxheti më i lartë i pesë viteve të fundit për këtë zë. I ndarë rreth 855 mln lekë për infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, 160 mln lekë për përmirësimin e hidrovorëve dhe rehabilitim dhe rikonstruksion kanalesh mbi 1.1 miliardë lekë. Shifra edhe më të mëdha se në 2025.

Ndërsa këto para pritet të mbulojnë 2026, ato që u investuan vite më parë sa ndihmuan realisht?

Vetëm 6 ditë pas fillimit të viti të ri Durrësi zgjohet nën ujë.

Nga Katundi i ri, në Sukth, Ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla, Lagjet 16 dhe 17 etj u përmbytën përfshirë këtu banesa, automjete, biznese e tregje, oborret e shkollave si dhe burgu i Durrësit teksa përmbyti disa qeli dhe detyroi zhvendosjen e të paraburgosurve në katet e sipërme. Pas nuk mbetën as hektarët e tokave bujqësore rreth Durrësit, veçanërisht në zonat e Sukth, Hamallaj, Rrushkull, Perlat dhe zona të tjera rurale, u mbushën me ujë, duke dëmtuar kulturat dhe infrastrukturën bujqësore.

“Ja po vuajmë për një çap buke por të vuajmë për shtëpi.”- shprehet një banore.

“Është hera e parë në këtë shkallë se ka patur gjithmonë përmbytje, por që të mbushen bordurat të mbushen katet e para”-shton një tjetër.

Por çfarë e shkaktoi këtë përmbytje?

“Në të gjithë territorin ka diçka që nuk administrohet, nuk lidhet terreni me pjesën e investimeve.”-shprehet Eduard Nallbani. 

“Zyhdi Teqja ka bërë një shkrim që uji është pasuri dhe është kthyer në fatkeqësi sepse sipërfaqet e gjelbërta në qytete janë shuar dhe gjithçka është asphalt, uji vrapon dhe përmbyt.”-thotë Malaj.

Keqmenaxhimi i kanaleve kulluese si dhe mosfunksionimi siç duhet i hidrovorit të ri në Porto Romano kanë sjellë sipas ekspertëve këtë situatë në qytetin e Durrësit. Me një vlerë rreth 19 milionë euro dhe një financim nga buxheti i shtetit dhe fondet publike për mbrojtjen nga përmbytjet, ky hidrovor u realizua nga Bashkia Durrës, përmes procedurave të tenderimit publik. Bashkimi i operatorëve 2T SHPK, Vëllezërit HYSA dhe Adriatic SHPK ishin dhe fituesit e procedurës tenderuese për këtë projekt. Këto kompani nuk janë rastësisht fituese vetëm një herë, por kanë rezultuar shpesh fituese të tenderave me vlerë të konsiderueshme publike në: projekte infrastrukturore të Bashkisë Durrës, projekte të kanalizimeve dhe hidrovorëve, projekte bregdetare për mbushje me rërë.

“Hidrovoret duhet të funksionojnë 24 orë. Nëse hidrovori nuk ka funksionuar kanë ndodhur dhe këto pasoja.”-shton Nallbani.

Hidrovori i ri ka për funksion mbledhjen dhe largimin e ujërave nga kanalet e shumta të qytetit përfshi ato të ujërave të shirave dhe ujërave të zeza që grumbullohen nga rrjeti i kanalizimeve dhe i shtratit urban. Në teori, ai duhet të funksionojë automatikisht kur niveli i ujit rritet, por pas problemeve të përmbytjeve është dyshuar se nuk ka funksionuar siç duhet, gjë që është objekt i hetimit të prokurorisë për shkak të dyshimeve se mungesa e evadimit të ujit ka kontribuar tek përmbytjet. Hetimi i Prokurorisë do të analizojë mënyrën e zbatimit të projektit, kontratat dhe shkallën e përgjegjësive. Ndërsa hidrovori i vjetër i Durrësit është pjesë e hershme e sistemit të kullimit dhe ka pasur një rol kyç për dekada, por sot konsiderohet i tejkaluar dhe me kapacitet të kufizuar. Si pasojë, në momente kritike, hidrovori i vjetër nuk mjafton për të evakuuar ujin, duke u kthyer nga një mjet mbrojtës në një hallkë të dobët të zinxhirit të kullimit. Ndërhyrja e fundit për riparime në këtë hidrovor është kryer në vitin 2024 me qëllim riparime dhe vlerë 4.4 mln lekë.

“Ne kemi trashëguar hidrovore. I kanë rezituar kohës por potenciali keqmirëmbajtja na çon që duhet të hedhim sytë në investime më strategjike.”- shprehet Agron Haxhmali.

Kjo situatë e ndërlikuar hidrovorëve është njëlloj në një pjesë të madhe të tyre në Shqipëri. Rehabilitimi i 14 nga 29 hidrovorët, që kullojnë një sipërfaqe prej 70 000 ha, në zonën e Ultësirës Perëndimore në Lezhë, Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë dhe Sarandë, është tepër prioritar. Kjo do të kërkonte instalimin e rreth 43 elektropompave të reja ose 30% të pompave në total. Ndonëse nga 138 elektropompa të hidrovorëve, 102 janë në punë prej një periudhë 30-45-vjeçare. Hidrovorët kanë një fuqi të instaluar prej 28,000 kë, me një kapacitet të projektuar të largimit të ujit, prej rreth 390 m3 /s. Amortizimi i pajisjeve elektromekanike ka ulur kapacitetin e hidrovorëve me rreth 30% kundrejt kapacitetit të projektuar. Kostoja e lartë e energjisë është një tjetër faktor negativ për rinovimin e hidrovoreve. Shumica e stacioneve kanë nevojë jo vetëm për rehabilitim, por edhe për modernizim, me qëllim përmirësimin e kapacitetit dhe eficiencën e elektropompave.

Megjithatë, thuajse të 29 hidrovorët kanë nevojë për rehabilitime në masë të ndryshme dhe ndoshta edhe për modernizim.

Vetëm për hidrovorët, buxheti i vitit 2026 kap vlerën e 159 milionë lekëve, duke synuar rikonstruksionin e tre hidrovorëve në Durrës, një në Orikum dhe ndërhyrje të tjera në vend. Ndërsa ngrihet shqetësimi për ngritjen e 2 hidrovorëve në Maliq dhe Torovicë në Lezhë.  Deri në vitin 2028, fondi për rikonstruksionet e hidrovorëve pritet të arrijë 700 milionë lekë.

VETËM 40% E KANALEVE TË KULLIMIT NË DURRËS JANË FUNKSIONALE ME VETËM 26 PUNONJËS QË I PASTROJNË

 Por përmbytjet nuk vijnë vetëm nga reshjet e dendura ato thellohen nga dështimi i infrastrukturës së kullimit. Kjo vërehet edhe në zonën e Ish kënetës në Durrës.

BASHKIA DURRËS

“Në ujitje dhe kullim, ndonëse sipërfaqja e mbuluar me kanale nuk është zgjeruar, përqindja e kanaleve funksionale është rritur dukshëm, duke dëshmuar fokus në mirëmbajtjen e infrastrukturës ekzistuese.”

Në qytetin e Durrësit, kanalet kulluese, që duhet të ishin linja e parë e mbrojtjes nga uji, janë kryesisht jashtë funksionit. Vetëm rreth 40% e rrjetit të kullimit rezulton funksional, një realitet i pranuar edhe nga vetë Bashkia në raportet vjetore të performancës. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2024, nga 170 kilometra kanale kulluese në total, vetëm 67 kilometra janë në gjendje pune, ndërsa pjesa dërrmuese mbetet e amortizuar ose e bllokuar. Në këto kushte, çdo shi i fortë kthehet në kërcënim, ndërsa dëmet e mëdha nga përmbytjet bëhen pothuajse të pashmangshme.

“Është mungesa e shteti. Pra shteti duhet të vij që ën korrik të marri masa. Pastrojnë lartë e lartë”-shprehet një banor.

Ndërsa në tokat bujqësore situata është edhe më alarmante. Nga 15 mijë e 129 hektarë tokë bujqësore, vetëm 1 mijë e 778 hektarë janë të pajisura me kanale kullimi më pak se 12% e totalit. Kjo do të thotë se shumica dërrmuese e fushave mbeten të pambrojtura përballë reshjeve intensive.

Por kjo gjendje e rënduar nuk mbetet këtu teksa për këto kanale ekzistuese kullimi dhe ujitje në të gjithë Bashkinë Durrës kujdesen për t’i pastruar dhe mirëmbajtur  vetëm 26 punonjës. Çka tregon haptazi neglizhimin e tyre dhe lënien pasdore dhe për mungesë të stafit.

“Në terren planet e veprimit çedojnë asnjë s’kujdeset të veprohet ashtu siç duhet dhe ndaj kemi këto dëme”- shton Haxhmali.

“Nga vite 93 dhe deri në 2007 janë bërë rehabilitime të sistemit kullues në Durrës Lezhë Shkodër Vlorë Fier Lushnjë.”-shprehet inxhinieri Sotiraq Pandazi.

Në këto kushte, mungesa e infrastrukturës së kullimit e kthen çdo shi të fortë në rrezik real për përmbytje, duke fundosur toka të tëra bujqësore, duke përmbytur zona të banuara dhe duke e bërë dëmin ekonomik e social pothuajse të pashmangshëm.

“Shqipëria ka nevojë për sistem sigurimi në bujqësi. Mungesa e bujqësisë sjell varfëri. Dhe varfëria nxit braktisjen e vendit. Duhet debat profesional kush bën propozime më të mira”-shton Malaj.

Procedura e fundit tenderuese nga Bashkia Durrës për këtë sektor është regjistruar në maj 2021 për hartimin e studiopojektit për rehabilimit e kanaleve të kullimit. Por kjo çështje mbetet një premtim për tu zgjidhur deri në vitin 2028 e parashikuar dhe në PBA. Në tavanet e përgjithshme për ujitje dhe kullimin bashkia Durrës për vitin 2026 ka parashikuar rreth 173 mln lekë ndërsa kjo vlerë pritet të ulet në 75 mln deri në 2028.

 QEVERIA HARRON VITIN HIDROLOGJIK

 E ndërsa viti hidrologjik fillon gjithmonë në dt. 1 tetor për inxhinierët hidroteknik kjo situatë nuk duhet ta gjente Shqipërinë kështu teksa përgatitjet dhe marrja e masave duhet të kishte filluar 3 muaj më parë.

Përmbytjet goditën fort edhe qarkun e Fierit dhe disa fshatra të Vlorës. Në Fier, zona si Haskturka, Cakrani, Libofsha dhe tokat përreth lumit Vjosë u mbuluan nga uji, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore. Në Haskturkë, uji hyri në oborre dhe banesa, ndërsa fermat dhe serat u dëmtuan rëndë. Situatë e ngjashme u regjistrua edhe në disa fshatra të Vlorës, ku reshjet e rrëmbyeshme dhe kanalet e bllokuara përmbytën ara të tëra dhe izoluan përkohësisht banorët. Dhjetëra banesa u prekën nga uji, bagëti u humbën dhe prodhimi bujqësor u shkatërrua, duke lënë pas dëme të mëdha ekonomike për familjet e zonës.

ARGJINATURA E LUMIT SEMAN E HARRUAR

Përmbytjet erdhën kryesisht si pasojë e çarjes së argjinaturës së krahut të majtë të lumit Seman. Çarja e argjinaturës ndryshoi rrjedhën e gjithçkaje brenda pak minutash. E amortizuar e dëmtuar dhe nga banorët të cilët kalonin me mjete të rënda duke e përdorur si një rrugë kalimi dhe e paaftë për të përballuar prurjet e larta, u kthye nga mbrojtje në pikën më të dobët të sistemit, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme dhe dëme të mëdha ekonomike për banorët e zonës.

Nëse ndalemi në investimet e fundit për argjinaturat e lumit Seman vërejmë se tenderi i fundit i realizuar llogaritet para 2 vitesh në 2024 nga bashkia Roskovec në zonën e Sukut. Ndërsa në zonat e tjera nuk është realizuar asnjë ndërhyrje. Ndonëse Ministria e Bujqësisë ka ngritur alarmin se ndërhyrja është emergjente. Në këtë listë të investimeve me prioritet renditet dhe argjinatura e lumit Seman nga ana e ministrisë e cila parashikonte një investim 140 milionë lekë nga 2024-2026.

“Asnjëherë nuk kanë ndodhur përmbytje të tilla në këtë zonë dhe asnjëherë s’kanë ardhur për argjinatur apo kanalet e kullimit.”-shprehet një banor.

“Strategjia kombëtare vë në pah sesi qëndron problematika e përmbytjeve në Shqipëri, duke u ndalur tek kanalet e kullimit, argjinaturat, hidrovoret, digat etj. Vetëm tek argjinaturat ndodhen rreth 850 km dhe sipas dokumentit rreth 300 kam ndodhen jashtë funksionet për shkak të ndryshimeve gjatë dekadave të fundit.”

Përtej sfidës së argjinaturave, kanalet e kullimit vazhdojnë të jenë një problem i pazgjidhur edhe në Fier, duke përsëritur të njëjtin skenar shqetësues si në Durrës. Vetëm 4% e këtij rrjeti është i mirëmbajtur dhe funksional, duke lënë qytetin të ekspozuar ndaj pasojave që mund të jenë katastrofike.  Nga 2 mijë e 208 km rrjet kullues rreth 95.2 km është I mirëmbajtur dhe I pastruar.

“Janë projekte të para 15 viteve. Tani ç’bëjnë i marrin copy paste i japin për zbatim.”

Në Gjirokastër dalja nga shtrati e lumit Fico solli përmbytje të konsiderueshme kryesisht në lagjen “18 Shtatori” dhe zonën Muzeale. Ndonëse vet bashkia kishte hapur një tender vetëm në shtator të viti 2025 për një studim projektim në këtë luginë me vlerë 4.2 mln lekë. Studim që do të ndiqej nga inxhinier ndërtimit, gjeodet, gjeolog dhe ekspert mjedisi dhe duhet të kishte përfunduar e gjeti Gjirokastër të përmbytur pikërisht nga ky lum.

Ndërsa në Shkodër nga përmbytjet u mbuluan rreth 760 hektarë tokë përfshirë njësinë administrative Dajc, Velipojë, ana e malit dhe Bërdicë. Ndonëse Shkodra ka hapur disa tendera të ndryshëm kryesisht për mirëmbajtjen e kanaleve kullues me vlera nga 27 deri në 36 milionë lekë, situate vijojë e njëjtë përmbytje të konsiderueshme. E ndërsa ky buxhet nga bashkia planifikon mos të ndryshojë ndër vite pavarësisht nevojës. Lezhë e Kurbin bashkitë nuk shihet në procedurat tenderuese të kenë hapur procedura mirëmbajtje rehabilitimi për ujitjen dhe kullimin apo edhe riparim argjinaturash, ndërsa vet disa fshatra e hektarë toke u përmbytën fillim janari. E ndërsa buxheti për zërin e kullimit në të dhënat që kjo bashki ofron vetëm për 2024 ishte në vlerën e 41 milionë lekëve ndërsa realizimi u krye vetëm në masën 63%.

“Problemet në Lezhë janë nga ujërat e larta nga përrenjtë. Tjetër zonë ajo e Balldrenit, fusha e Torovicës që ulja e nivelit të tokës krijon përmbytje”-shton Pandazi.

BUXHETET ALOKOHEN, POR PARATË MBETEN MË PAS NJË DETYRIM TË PRAPAMBETUR

 Dëmet nga përmbytjet nuk janë thjesht statistika në letër ato shfaqin pasojat e një sistemi të amortizuar dhe të neglizhuar. Qindra hektarë tokë bujqësore, mijëra banesa dhe biznese janë përmbytur, rrugët dhe hidrovoret janë shkatërruar, ndërsa fatura për rikonstruksion dhe mirëmbajtje arrin miliarda dollarë, duke reflektuar dekada mungesë investimesh. Megjithatë, pavarësisht këtyre shifrave astronomike, dëmshpërblimet për banorët shpesh mbeten të pakta ose vonojnë të jepen; në gjysmën e fundit të dekadës, mijëra familje ende presin ndihmën që u takon, ndërkohë që fondet mbeten të bllokuara apo të papërdorura. Ky boshllëk mes dëmit të shkaktuar dhe ndihmës së premtuar tregon jo vetëm pasojat e përmbytjeve, por edhe sfidën e vazhdueshme të institucioneve për t’u përgjigjur në kohë dhe drejtësi ndaj qytetarëve të prekur.

Në rast përmbytje siç edhe vijon të kryhet në shumë qytete, inspektorët dalin në terren për të evidentuar dëmet. Edhe për këtë fillimvit në ndihmë të qytetarëve kryeministri deklaroi një paketë ndihme rreth 50 milionë euro. Por mbetet për tu parë nëse edhe këto para a do u shpërndahen plotësisht qytetarëve dhe të mos mbeten si një detyrimi  prapambetur.

“Kur niset një projekt jo vëmendja te sa lekë dha por sa shkurtoi fatkeqësinë natyrore.”-shton Malaj. 

Ndërkohë që paratë për dëmshpërblimet priten ende, dëmet nga përmbytjet rriten çdo vit. Një raport i audituesve të KLSH-së nxjerr në pah se gati 2,5 miliardë dollarë është vlerësuar dëmi i përmbytjeve gjatë tre dekadave të fundit një tregues i qartë i shkallës së lartë të pasojave dhe i nevojës për ndërhyrje urgjente.

“Vetëm në vitet e demokracisë në tre dekada humbjet ekonomike të shkaktuara nga përmbytjet përllogariten në rreth 2,5 miliardë dollarë. Pra, kushtojnë më lirë masa paraprake investuese për parandalimin e përmbytjeve se sa pritje e ndodhjes së tyre dhe më tej marrja e masave riparuese dhe eliminimi i pasojave”- thuhet ne auditim.

Në 2025 vet kreu i emergjencave civile në Kuvend deklaroi se detyrohen qytetarëve të prekur rreth 194 mln lekë detyrime, para të padhëna ende.

“Mund të ketë familjar të përmbytur që ju premton sot kompesimin ndërkohë që s’ju dhe dhënë dëmshpërblimet për zjarrin apo përmbytjet e viteve më parë.”-thotë Haxhimali.

Ky është një alarm që nuk mund të injorohet: për dëmshpërblimet e qytetarëve dhe për mbrojtjen e infrastrukturës, ky problem duhet të jetë prioritet i çdo qeverie që kërkon të garantojë sigurinë dhe të ardhmen e vendit.

Dhe për të garantuar një të ardhme pa përmbytje të një shkalle të tillë vet ministria e bujqësisë në dokumentin e strategjisë kombëtare për ujitjen dhe kullimin vë theksin tek fatura që duhet për riparimin dhe ndërtimin e një sistemi hidrologjik në Shqipëri i cili mbetet peng i më shumë se 3 apo 4 dekadave më parë.

Por nëse përmbytjeve do tu jepnim fund në shkallë kaq të gjerë në ndihmë sipas këtij dokumenti qeveritar do ti vinte ndërhyrja nëpërmjet kësaj liste projektesh të cilat kërkojnë dhe vëmendje më urgjente dhe kapin një vlerë prej 276 milionë dollar.

Kostoja e përgjithshme e vlerësuar për rehabilitimin dhe ndërtimin e veprave të mbrojtjes nga përmbytjet të nevojshme shkon në rreth 276.8 milionë USD.

Studim fizibiliteti dhe projekt zbatimi për infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja në lumenjtë Erzen–Ishëm, Shkumbin, Seman dhe Vjosë 6.9 milionë USD 2.

Hartimi i projektidesë përfundimtare dhe projektit të zbatimit për mbrojtjen nga përmbytja të zonës së Nënshkodrës duke konsideruar edhe lundrimin në lumin Buna: $ 5.5 milionë USD 3. Rehabilitimi/rikonstruksioni i argjinaturave mbrojtëse në të dyja anët e lumit Mat nga Ura e Zogut në grykëderdhje $ 10.6 milionë USD 4.

 Ndërtimi/rikonstruksioni i infrastrukturës së mbrojtjes nga përmbytja përgjatë lumenjve Drin, Bunë dhe zonën e Nënshkodrës për mbrojtjen nga përmbytja të rreth 12 000 ha tokë bujqësore e zona urbane, si dhe sistemimin e shtratit të lumit Bunë për të mundësuar lundrimin në këtë lum: $ 81 milionë USD 5.

Ndërtimi/rikonstruksioni i argjinaturave mbrojtëse përgjatë lumenjve kryesore në pjesën e ultësirës perëndimore për të minimizuar rrezikun e përmbytjeve në rreth 100 000 ha: $ 62 milionë USD TOTALI $166 milionë USD

Shqipëria ka një faturë tejet të kripur për të shpenzuar ndaj sistemit hidrologjik në Shqipëri e cila kërkon vite për tu realziuar nëse ndiqet ritmi i duhur i investimeve.

Nga ky total 253.6 milionë USD, vlerësohet rehabilitimi dhe modernizimi i infrastrukturës së ujitjes për të mundësuar ujitjen në sipërfaqen potencialisht të ujitshme prej 360 mijë ha;

 56.5 milionë USD rikthimi i infrastrukturës së kullimit në parametra optimal në sipërfaqen potencialisht të kalueshme prej 280 mijë ha;

 130.2 milionë USD rehabilitimi i 410 digave (ose rreth 65% e numrit të përgjithshëm) për rritjen e sigurisë së tyre dhe garantimin e burimeve ujore për skemat ekzistuese;

 276.8 milionë USD rritje e sigurisë së mbrojtjes nga përmbytja lumore dhe detare, nëpërmjet rehabilitimit/ rikonstruksionit të argjinaturave ekzistuese dhe ndërtimit të strukturave reja.

Strategjia kombëtare për ujitjen dhe kullimin tregon qartë se ndalimi i përmbytjeve në shkallë të gjerë kërkon veprime urgjente dhe investime të konsiderueshme. Ky është një investim që nuk matet vetëm me para, por me sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e tokave dhe të ardhmen e vendit. Vetëm duke ndjekur këtë ritëm, Shqipëria mund të ndërtojë një sistem hidrologjik të qëndrueshëm dhe të japë fund pasojave shkatërruese të përmbytjeve, duke e kthyer kërcënimin në një kontroll të menaxhueshëm dhe të parashikueshëm./Marinela Lina

Top Channel

DIGITALB DIGITALB