Dy apartamente të përshtatura për prostitucion, në dy zona të ndryshme të Durrësit, kanë çuar në një tjetër goditje të policisë.
Në fazën e 13-të të operacionit të koduar “STORM”, është arrestuar një shtetase 52-vjeçare nga Armenia, e dyshuar si organizatore, ndërsa janë proceduar penalisht një 22-vjeçare nga Peruja dhe tre shtetas shqiptarë për prostitucion.
Sipas policisë, apartamentet e marra me qira në zonën e Vollgës dhe në zonën e Plazhit ishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit. Gjatë ndërhyrjes, shtetaset e huaja kanë refuzuar të hapin dyert e banesave, të cilat u hapën me ndihmën e Shërbimit Zjarrfikës. U sekuestruan pasaporta, shuma parash, karta telefoni dhe sende të tjera.
Në 13 faza të zhvilluara deri tani në Durrës, në kuadër të operacionit “STORM” janë proceduar penalisht mbi 50 persona, për organizim e ushtrim prostitucioni. Shumica e tyre janë shtetase të huaja, kryesisht nga Amerika Latine, Azia dhe Europa Lindore, përfshirë vende si Kolumbia, Brazili, Peruja, Kina, Spanja dhe Armenia, si dhe dhjetëra shtetas shqiptarë, kryesisht si klientë a bashkëpunëtorë në këtë veprimtari të paligjshme.
Sipas policisë, operacioni do të vijojë edhe në fazat e ardhshme, me fokus goditjen e organizatorëve, rrjeteve kriminale dhe individëve që qëndrojnë pas këtij aktiviteti, ndërsa hetimet e mëtejshme po kryhen për çdo rast nga Prokuroria e Durrësit.
Top Channel