Shtrati u përfshi nga flakët ndërsa po flinte, humb jetën tragjikisht 13-vjeçarja, dyshohet se shkak u bë një çakmak

17/01/2026 08:01

Një nxënëse 13-vjeçare humbi jetën tragjikisht pasi shtrati i saj marinari mori flakë, ndërsa dyshohet se shkak u bë përdorimi i një çakmaku.

Zjarrfikësit u thirrën në një banesë në Kingsway, Prescot, ku gjetën Layla Allen, anëtaren e vetme të familjes që kishte mbetur brenda shtëpisë në flakë. Adoleshentja u gjet e shtrirë në shtratin e sipërm të krevatit të saj marinari dhe u shpall e vdekur në vendngjarje.

Sipas ‘The Sun’, në seancën hetimore, mjekja ligjore Anita Bhardwaj deklaroi se policia nuk kishte mundur të intervistonte fëmijët e tjerë që ndodheshin në shtëpi në momentin e zjarrit, për shkak të shqetësimit të madh emocional që intervistat do t’u shkaktonin atyre.

“Policia u pengua të mblidhte prova të mëtejshme, pasi familja dhe shërbimet sociale vlerësuan se intervistimi i fëmijëve do t’u shkaktonte atyre dëme të konsiderueshme psikologjike”, tha Bhardwaj, duke shtuar se kjo e ka bërë të pamundur përjashtimin e skenarëve të ndryshëm.

Prindërit e Laylës, Shaun Allen dhe Michelle McGurry, së bashku me pesë fëmijët e tjerë të familjes, arritën të shpëtonin nga banesa. Layla, nxënëse e vitit të tetë në shkollën St Edmund Arrowsmith në Whiston, mbeti e bllokuar në dhomën e saj.

Policia e Merseyside konfirmoi se nuk ka prova që një person i tretë nga jashtë familjes të ketë qenë i përfshirë në incident.

“Të gjitha burimet e mundshme të zjarrit janë përjashtuar, me përjashtim të një flake të hapur, siç është një çakmak”, deklaroi ajo. Brenda banesës u gjetën dy çakmakë njëpërdorimësh, për të cilët prindërit thanë se nuk u përkisnin atyre.

Sipas Baller-Wilson, fakti që Layla u gjet e shtrirë përmbys në shtrat sugjeron se ajo ka qenë duke fjetur në momentin kur zjarri ka nisur. Ajo shtoi se vajza ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe, në rrethana normale, do të kishte qenë në gjendje të largohej nga krevati.

“Nëse Layla do ta kishte ndezur vetë zjarrin, nuk ka asnjë arsye pse ajo të mos ishte përpjekur të largohej nga dhoma,” tha hetuesja, duke theksuar se kjo e bën të pamundur nxjerrjen e një përfundimi të qartë.

Ekzaminimi pas vdekjes tregoi se shkaku i vdekjes ishte thithja e monoksidit të karbonit dhe efektet e zjarrit.

Hetimi nuk arriti të përcaktojë me saktësi shkakun e zjarrit, megjithëse u vlerësua se ka “shumë të ngjarë” të jetë përdorur një flakë e hapur, si një çakmak. Megjithatë, mjekja ligjore Bhardwaj dha një përfundim të hapur, duke theksuar mungesën e provave vendimtare.

“Ka shumë pyetje pa përgjigje. Nuk e dimë çfarë ndodhi realisht dhe nuk mund të themi me siguri kush e nisi zjarrin,” tha ajo.

Në fund, Bhardwaj shprehu shqetësim të veçantë për faktin se ky ishte zjarri i dytë në shtëpinë e familjes brenda një viti, në rrethana të ngjashme që përfshinin përdorimin e çakmakëve.

“Pasojat këtë herë ishin tragjike, me humbjen e jetës së Laylës,” përfundoi ajo

Top Channel

DIGITALB DIGITALB